Jeta përtej abuzimit

Joyce Meyer

Jeta përtej abuzimit

Unë jam abuzuar seksualisht, mendërisht, emocionalisht dhe verbalisht nga babai im që nga fëmijëria e hershme e deri sa u largova nga shtëpia e tij, në moshën 18 vjecare. Ai më ka bërë shumë gjëra të tmerrshme… disa prej të cilave janë aq të neveritshme, sa që nuk mund të flas për to publikisht. Por dëshiroj të ndaj dëshminë time, sepse shumë e shumë njerëz janë lënduar dhe ata duhet të kuptojnë se dikush ia ka dalë mbanë, që kështu, ata të mund të kenë shpresë.

Mbi të gjitha, unë dëshiroj që ju të dini dhe vërtet të kuptoni se, një person që është abuzuar, mund të rimëkëmbet plotësisht, nëse ia dorëzon jetën plotësisht Jezusit.

Cfarë do të thotë “Abuzim”?

Abuzimi përkufizohet kështu: “të keqpërdoresh, të mos përdoresh sic duhet, ose të hidhesh poshtë; të përdoresh në një mënyrë të tillë që të shkakton lëndim ose dëmtim; të trajtohesh shumë keq.” Sa herë që dikush na përdor për një qëllim, ndryshe nga qëllimi i Perëndisë, është shumë e dëmshme. Dhe kam kuptuar që shumë njerëz e gjejnë veten në këtë pozicion. Për disa nga ata që po lexojnë këtë artikull, kjo është edhe historia tyre. Ata e dinë se si është të jetosh më këtë sekret të tmerrshëm e të turpshëm, që po i ha të gjallë.

Babai im ishte një njeri i keq, kontrollues e manipulues, për pjesën më të madhe të jetës së tij. Ai ishte i paparashikueshëm dhe i paqëndrueshëm. Për rrjedhojë, atmosfera në shtëpinë tonë ishte e mbingarkuar me frikë, sepse asnjëherë nuk dihej nëse ajo që bënim, do ta zemëronte atë apo jo.

Ne gjithmonë bënim atë që ai donte të bënim dhe atëherë kur ai donte ta bënim. Shihnim atë që ai donte të shihte në televizor, shkonim në shtrat, atëherë kur ai dëshironte të shkonim në shtrat, ndrheshim kur ai donte të ngriheshim dhe hanim atë që ai donte të hanim… cdo gjë në shtëpinë tonë bendosej nga humori i tij dhe nga ajo që ai donte.

Abuzimi seksual filloi kur unë isha shumë e vogël dhe kur ai vendosi se unë isha mjaft e rritur, i coi gjërat edhe më tej. Që nga kjo pikë e deri sa u bëra 18 vjec, ai më përdhunonte të paktën një herë në javë. Im atë, i cili duhet të më bënte të ndihesha e sigurt dhe të cilit unë duhet t’i besoja, ishte personi që unë i trembesha më shumë.

Ndjenjat e turpit dhe të vetmisë

Unë isha jashtëzakonisht e turpëruar prej kësaj gjëje. Më vinte turp nga vetja dhe më vinte turp edhe nga im atë e nga ato që ai më bënte. Gjithashtu, isha vazhdimisht e frikësuar. Nuk kisha një vend ku të ndihesha e sigurt gjatë fëmijërisë. Mendoj se, as që mund ta imagjinojmë, se cfarë dëmi i sjell një fëmije dicka e tillë.

Në shkollë sillesha sikur kisha një jetë normale, por ndihesha e vetmuar gjatë gjithë kohës dhe ndryshe nga gjithë të tjerët. Ndihesha sikur nuk e kisha vendin aty dhe nuk isha e lejuar të shkoja në aktivitetet pas mësimit, të ndiqja ngjarje sportive, apo të shkoja në festa e të dilja me djem. Shumë herë duhet të sajoja histori, si justifikim, ngaqë nuk mund të bëja asgjë me shokët e klasës. Për një kohë të gjatë jetova duke u shtirur dhe me gënjeshtra.

Ajo që mësova për dashurinë, në fakt ishte perversitet. Im atë më thoshte se ajo që ai më bënte, ishte e vecantë dhe e bënte ngaqë më donte.  Ai më thoshte se cdo gjë që ai më bënte, ishte e mirë, por duhet të ishte sekreti ynë, ngaqë asnjë tjetër nuk mund ta kuptonte dhe mund të na shkaktonte probleme në familje. Fakti që nuk duhet të lejoja që dhimbja ime të shkaktonte probleme në familje, u bë barra ime. Dhe për sa kohë që mbaja këtë sekret, nuk mund të clirohesha nga dhimbja që më shkaktonte.

ndoshta ju po pyesni: “Joyce, ku ishte Perëndia në gjithë këtë histori?” Ai ishte aty. Ai nuk më nxorri nga ajo situatë kur isha fëmijë, por më dha forcën ta kapërceja atë. Është e vërtetë që im atë abuzoi me mua. Ai nuk më donte dhe nuk më mbrojti, sic duhet të kishte bërë, dhe shumë herë ndihesha sikur askush nuk do të më ndihmonte dhe se kjo gjë nuk do të mbaronte kurrë.

Por Perëndia gjithmonë kishte një plan për jetën time dhe Ai më kishte shpenguar. Ai e kishte marrë atë që Satani kishte bërë për të më lënduar dhe e kishte kthyer në dicka të mirë (lexo Romakëve 8:28). Ai e kishte larguar turpin tim dhe më kishte dhënë një shpërblim e rikompensim të dyfishtë (lexo Isaia 61:7).

Perëndia mund t’ju shërojë e restaurojë

Mund të duket e pamundur, por E vërteta e Perëndisë më ka cliruar nga një jetë e shtirur dhe me gënjeshtra, dhe ka restauruar shpirtin tim. Unë jam një provë e gjallë se asgjë nuk është shumë e vështirë për Perëndinë. Dhe pavarësisht se cfarë keni kaluar, apo se sa shumë jeni lënduar, ka shpresë!

Kjo është arsyeja pse po ju tregoj historinë time. Ju duhet të dini se si është Perëndia dhe se vuajtja juaj merr vlerë. Nëse do t’ia dorëzoni jetën tuaj Krishtit dhe vërtet do të besoni tek Perëndia, mund të shëroheni dhe restauroheni plotësisht dhe mund të keni jetën që Jezusi vdiq që ju të keni. Mos u dorëzoni!

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon