Si e transformon jetën tonë, besimi tek Perëndia

Joyce Meyer

Si e transformon jetën tonë, besimi tek Perëndia

Për një kohë të gjatë, në jetën time kishte shumë turbullira. Trishtohem kur mendoj për gjithë ato vite të shkuara kot, duke jetuar në atë mënyrë. Isha e krishterë dhe shkoja në kishë, por kaloja shumë kohë duke u shqetësuar për gjëra për të cilat nuk mund të bëja asgjë, përjetoja ndjenjat e fajit dhe dënimit pothuajse gjatë gjithë kohës, nuk kisha paqe dhe nuk e shijoja jetën.

Fatmirësisht, pata një transformim rrënjësor. Zhvillova zakonin e besimit tek Perëndia dhe tani, jeta ime vërtet që ia vlen.

Çfarë do të thotë të besosh tek Perëndia

Të besosh tek Perëndia do të thotë të besosh se Ai të do shumë, Ai është i mirë, Ai ka fuqinë të të ndihmojë, Ai dëshiron të të ndihmojë dhe se Ai do të të ndihmojë. Të krishterët quhen besimtarë, por shumë herë, janë më tepër besimtarë mosbesues. Ne u besojmë miqve tanë, bankës, bursës, ose qeverisë, më shumë se sa i besojmë Perëndisë dhe Fjalës së Tij.

Tek Gjoni 15:5, Jezusi na thotë se të ndarë prej Tij, ne nuk mund të bëjmë asgjë. Ne duhet të mbështetemi tek Ai për ndihmë në çdo gjë në jetën tonë. Fatkeqësisht, shumë njerëz shkojnë në kishë, dëgjojnë se ç’duhet të bëjnë dhe pastaj shkojnë në shtëpi dhe e provojnë, duke u mbështetur tek vetja e tyre. Zakonisht, këta njerëz, përfundojnë të dëshpëruar duke i treguar Perëndisë se sa shumë janë përpjekur të bëjnë atë që duhet bërë dhe e lënë Perëndinë jashtë çdo gjëje.

Perëndia dëshiron që ne ta vëmë Atë të parin në jetën tonë. Ai do që e ta vendosim besimin dhe sigurinë tonë tek Ai për çdo gjë, gjatë gjithë kohës.

Të mësosh  t’i besosh Perëndisë dhe jo vetvetes

Unë kam pasur zakon t’i besoj vetes sime. E formova këtë zakon, pasi për shumë vite u kisha besuar njerëzve, isha lënduar dhe kisha zbuluar se nuk mund t’u besoja më atyre. Kjo më bëri të besoj këtë gjë:  Nëse do që diçka të bëhet mirë, duhet ta bësh vetë. Nëse nuk i kërkon asgjë, askujt dhe nëse nuk ia hap zemrën askujt, askush nuk mund të të lëndojë. Por kjo mendësi thjesht më pengonte që t’i besoja Perëndisë. Ishte një zakon i keq, të cilin duhej ta thyeja. Fjalët E urta  3:5,6 thotë: Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.” Kur pranojmë Krishtin si Shpëtimtarin tonë, Fryma E shenjtë vjen të jetojë brenda nesh. Ky është një nga bekimet më të mëdha të Shpëtimit: Nuk ka përse të flasim me Perëndinë përmes dikujt tjetër. Ai banon në zemrën tonë dhe ne mund të mësojmë të dëgjojmë zërin e Tij.  Mënyra më e mirë për të dëgjuar nga Perëndia dhe të dimë se si Ai dëshiron që ne të jetojmë, është të njohim atë që thotë Fjala e Tij, Bibla. Fjala e Perëndisë na jep urtësi. Ndërsa e studiojmë Biblën, mendja jonë ripërtërihet (lexo Romakëve 12:2), dhe kështu, ne nuk mendojmë më, ashtu siç mendon bota. Ne mund të mendojmë, ashtu siç mendon Perëndia!

Zakoni i mirë, që vërtet sjell ndryshim

Ne duhet ta bëjmë zakon studimin e Fjalës, në mënyrë që vërtet të kemi siguri në Perëndinë dhe të dimë se mund të dëgjojmë prej Tij. Bibla është ushqim për frymën tonë. Ndërsa kalojmë kohë duke lexuar dhe medituar mbi shkrimet, ne zhvillojmë një frymë të fortë. Pastaj, mund të dëgjojmë Perëndinë tek i flet zemrës sonë- aty ku Ai banon brenda nesh- dhe mund të marrim vendime të bazuara mbi udhëzimet e Tij dhe jo mbi atë që ne mendojmë, ndjejmë, apo dëshirojmë.

Kur shkojmë përtej asaj që dëshirojmë, mendojmë dhe ndjejmë, dhe kur bëjmë atë që Fjala dhe Fryma e Perëndisë na thotë të bëjmë, jemi në gjendje të zhvillojmë zakone të mira dhe të thyejmë ato të këqiat. Atëherë do të vijmë në një vend ku bekimet e Perëndisë, drejtësia, paqja dhe gëzimi i Tij, do të derdhen me bollëk në jetën tonë.

Jeta është e thjeshtë dhe në paqe, kur shkojmë tek Perëndia si fëmijë të vegjël dhe themi: “Perëndi, unë nuk dua të jetoj vetëm. Dua të të besoj Ty. Kur të mos di se çfarë të bëj, do të të besoj Ty. Kur të mos kuptoj përse, do të të besoj Ty. Unë do të bëj pjesën time me ndihmën Tënde, dhe kur të mbaroj, do të besoj se Ti do të bësh më të mirën.”

Ky artikull është marrë nga Plani i Veprimit të Joyce-it, me titull “Të krijosh zakone të mira, të thyesh zakonet e këqija”.

 

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon