A Jeni Të Uritur Për Më Shumë Nga Perëndia?

A Jeni Të Uritur Për Më Shumë Nga Perëndia?

Sepse ai ka ngopur shpirtin e etur dhe e ka mbushur me të mira shpirtin e uritur. (PSALMI 107:9)

Kur ne jemi të uritur bëjmë një përpjekje të madhe për të marrë ushqim. Ne mendojmë për ushqimin, flasim për të, dhe shkojmë në dyqan për ta blerë atë dhe përgatisim me kujdes. Unë besoj se nëse jemi të uritur për më shumë nga Perëndia në jetën tonë, ne duhet të sillemi në të njëjtën mënyrë. Perëndia tha që ne duhet ta kërkojmë Atë me gjithë zemër, me këmbëngulje, me entuziazëm, me zell dhe seriozisht.

Ne kalojmë shumë kohë çdo javë me ushqimin natyror, por sa më shumë kohë duhet të kalojmë me ushqimin frymëror? Unë vlerësoj se shumica prej nesh shpenzojnë të paktën katërmbëdhjetë orë në javë duke kërkuar, përgatitur dhe ngrënë ushqim natyror. Ne duhet të pyesim sinqerisht veten se sa kohë shpenzojmë për të kërkuar Perëndinë dhe për të mësuar rreth Tij. Sa afër jemi me Perëndinë varet nga sa kohë jemi të gatshëm të kushtojmë për të zhvilluar marrëdhënien tonë me Të. Koha është e vlefshme për të gjithë ne dhe ne duhet ta përdorim atë për gjërat që janë më të rëndësishme për ne. Ju mund ta shpërdoroni kohën tuaj ose ta investoni kohën tuaj; është zgjedhja juaj. Atë që shpërdorojmë e humbasim, por atë që investojmë e kthejmë me fitim.

Unë ju rekomandoj fort që të shpenzoni sa më shumë kohë që mundeni duke kërkuar Perëndinë ashtu siç kaloni kohë duke kërkuar për ushqimin natyror, dhe kështu do të mbusheni me urtësinë dhe praninë e Tij. Ju do të gjeni një kënaqësi siç nuk e keni njohur kurrë më parë ndërsa ai e mbush shpirtin tuaj me praninë e Tij.


FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Vetëm Perëndia e mbush shpirtin e uritur, ndaj jepini Atij prioritetin kryesor në axhendën tuaj.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon