Sepse ju nuk keni marrë një frymë robërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: ‘’Aba, o Atë!’’. ROMAKËVE 8:15
Apostulli Pal na mëson që Fryma e Shenjtë është Fryma e birërisë. Fjala birësim do të thotë se ne jemi sjellë në familjen e Zotit, edhe pse më parë kemi qenë të huaj, të palidhur me Zotin në asnjë mënyrë. Ne ishim mëkatarë dhe të ndarë nga Perëndia, por Perëndia në mëshirën e Tij të madhe na shpengoi, na bleu dhe na afroi përsëri me Të nëpërmjet gjakut të Birit të Tij.
Ne e kuptojmë birësimin në kuptimin natyror. Ne e dimë se disa fëmijë pa prindër birësohen nga njerëz që i zgjedhin qëllimisht dhe i marrin si të tyret. Çfarë nderi të zgjidhesh me qëllim nga ata që duan të derdhin dashurinë e tyre mbi ta.
Kjo është pikërisht ajo që Perëndia bëri për ne si besimtarë në Krishtin. Për shkak të asaj që Jezusi bëri për ne në kryq, ne jemi tani përjetësisht pjesë e familjes së Tij dhe Fryma e Tij banon në frymën tonë dhe i thërret Atit. Perëndia Atë vendosi përpara se të hidhej themeli i botës që kushdo që do të donte Krishtin do të ishte i dashur dhe do të pranohej prej Tij si fëmija i Tij. Ai vendosi të birësonte të gjithë ata që do të pranonin Jezusin si Shpëtimtarin e tyre. Ne bëhemi trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me Birin e Tij, Jezus Krishtin.
Është njohja e marrëdhënies sonë familjare me Perëndinë që na jep guxim për të shkuar përpara fronit të Tij dhe për t’i bërë të njohura kërkesat tona.