Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai. 1 GJONIT 3:2
Zgjedhjet që ne bëjmë sot do të vendosin nëse do të shijojmë momentin apo do ta harxhojmë duke u merakosur. Ndonjëherë ne përfundojmë duke e humbur momentin e ditës sepse ne jemi të përqendruar tek e nesërmja. Ne jemi të mençur kur e mbajmë mendjen të përqendruar në atë që Perëndia dëshiron që ne të bëjmë tani.
Është e rëndësishme të kuptojmë që Perëndia dëshiron të na mësojë se si të jemi njerëz të së tashmes. Për shembull 2 Korintasve 6:2 thotë: “ja, pra, dita e shpëtimit” dhe Hebrenjve 4:7 thotë: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos u bëni zemërgur.”
Ne do të jemi më të frytshëm për mbretërinë e Perëndisë dhe më të lumtur në jetën tonë, nëse vendosim të jetojmë në këtë moment. Shpesh ne e kalojmë kohën tonë mendore në të kaluarën ose të ardhmen. Kur nuk dorëzohemi realisht ndaj asaj që po bëjmë në këtë moment, bëhemi të prirur ndaj shqetësimit dhe ankthit. Megjithatë, nëse do të jetojmë në të tashmen, do ta gjejmë Zotin atje me ne. Pavarësisht nga situatat që na sjell jeta, ne do ta dimë se sot, pikërisht tani, është një pjesë e planit të Perëndisë dhe Ai do të na kalojë përmes tij nëse do t›i besojmë Atij.
Koha që keni tani është e çmuar. Mos e harxhoni kohën e “tashme” për t’u shqetësuar për të nesërmen.