Zoti, Zoti, më ka dhënë gjuhën e dishepujve, që të mund ta mbaj me fjalë të lodhurin; ai më zgjon çdo mëngjes; zgjon veshin tim, që unë të dëgjoj si veprojnë dishepujt. Zoti, Zoti, më ka hapur veshin dhe unë nuk kam qenë rebel, as jam tërhequr prapa. (ISAIA 50:4,5)
Hapi i parë për të dëgjuar nga Perëndia është të besojmë se ne mund të dëgjojmë prej Tij. Shumë njerëz dëshirojnë të dëgjojnë nga Perëndia, por ata nuk presin të dëgjojnë prej Tij. Ata thonë, “Unë nuk mund të dëgjoj nga Perëndia; Ai nuk më flet kurrë mua.”
Këta njerëz kanë një gjendje statike në “marrësit” e tyre për të dëgjuar nga Perëndia qartësisht. Veshët e tyre janë bllokuar me kaq shumë mesazhe që vijnë nga burime të paperëndishme. Si pasojë, ata e kanë të vështirë të dallojnë se çfarë po i thotë në të vërtetë Perëndia atyre.
Nuk i bën mirë Perëndisë të na flasë nëse nuk besojmë se po dëgjojmë prej Tij. Mashtruesi, djalli, nuk do që ne të mendojmë se mund të dëgjojmë nga Zoti. Ai nuk do që ne të besojmë, kështu që dërgon demonë të vegjël që të qëndrojnë përreth dhe të na gënjejnë ditë e natë, duke na thënë se nuk mund të dëgjojmë nga Perëndia. Por ne mund të përgjigjemi: “Është shkruar, Perëndia më ka dhënë aftësinë për ta dëgjuar dhe për t’iu bindur Atij” (shih Psalmin 40:6). Fjala e Perëndisë shpall se të gjithë besimtarët kanë aftësinë për të dëgjuar dhe për t’iu bindur Perëndisë dhe për t’u udhëhequr nga Fryma e Shenjtë.
Jezusi dëgjoi qartësisht nga Ati gjithë kohën. Shumë njerëz që po qëndronin rreth Jezusit kur Perëndia i foli Atij, dëgjuan vetëm atë që mendonin se ishte bubullima (shih Gjoni 12:29). Nëse keni probleme të dëgjoni nga Perëndia, ju inkurajoj të merrni disa momente çdo ditë dhe të rrëfeni besimin tuaj në dëgjimin prej Tij. Ndërsa rrëfeni atë që besoni në zemrën tuaj, mendja juaj do të ripërtërihet dhe do të filloni të prisni të dëgjoni nga Zoti.
FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Në vend që të ndiheni nën presion për të dëgjuar nga Perëndia, thjesht besoni se Ai do t’ju flasë.