Atëherë Jozafati uli për tokë fytyrën e tij, dhe tërë Juda dhe banorët e Jeruzalemit ranë përmbys përpara Zotit dhe e adhuruan. 2 Kronikave 20:18
Tek 2 Kronikave 20:18, mbreti dhe populli i Judës ulën për tokë fytyrat e tyre dhe adhuruan kur ata dëgjuan udhëzimet e Zotit. Pozicioni i adhurimit të Perëndisë i ndihmonte ata të përgatiteshin për betejë. Nëse ti je në një betejë tani, unë të nxis fort të lësh të gjitha shqetësimet e tua dhe të adhurosh. Të gjunjëzohesh në nderim përpara Perëndisë, ose llojet e tjera të adhurimit, janë një pozicion beteje dhe një çelës për fuqinë frymërore.
Të “lavdërosh” Perëndinë është përcaktuar si t’i atribuosh Atij lavdinë që i takon emrit të Tij. Është të flasësh dhe të këndosh për mirësinë, hirin dhe madhështinë e Perëndisë. Të “adhurosh” është përkufizuar si t’i japësh nderim dhe të shërbesh. Në përgjithësi, mund të konsiderohet si njohje e drejtpërdrejtë e Zotit, e natyrës, atributeve, mënyrave dhe pretendimeve të Tij, qoftë duke shprehur zemrën tuaj në lavdërim dhe falënderim ose me vepra që shpallin një njohje të tillë.
Me ndihmën e Perëndisë, ne mund të mësojmë të luftojmë në mënyrën e Tij, jo në mënyrën e botës. Pozicioni yt i betejës është ai i adhurimit, ky është pozicioni që na sjell neve më pranë Perëndisë. Ne luftojmë çdo betejë me një zemër lavdëruese dhe adhuruese duke besuar që Perëndia do të punojë në jetët dhe rrethanat tona.
Ndërsa adhurojmë Zotin, ne çlirojmë barrën emocionale ose mendore që po na rëndon. Ajo është gëlltitur në madhështinë e Perëndisë.