
Shumë kohë më parë Zoti m’u shfaq duke thënë: “Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi. JEREMIA 31:3
Shumë njerëz nuk e pëlqejnë veten e tyre. Ata janë shumë kritikues ndaj vetes, e refuzojnë veten e tyre dhe madje e urrejnë atë. Bibla na mëson që të mos jemi egoistë dhe të përqendruar vetëm tek vetja, por nuk na udhëzon kurrë të mos e duam veten tonë në një mënyrë të balancuar. Unë gjithmonë them, “Mos u dashuro me veten, por duaje veten tënde.” Nëse nuk e do veten tënde, do të jesh i mjerë sepse ti je gjithmonë me veten tënde. Ti je i vetmi person nga i cili nuk do të largohesh kurrë për asnjë sekondë të jetës tënde.
Një herë dëgjova një grua të re t’i kërkonte një pastori të lutej për të, sepse e urrente veten. Ai e shikoi atë dhe bëri një hap prapa në ankth. Ai tha shumë qartë: “Kush mendoni se je për të urryer veten pasi Perëndia dërgoi Birin e Tij të vetëm për të vuajtur kaq tmerrësisht dhe për të vdekur në vendin tënd? Nëse Perëndia të ka dashur aq shumë, sigurisht që mund ta duash veten.”
Deklarata e tij i hapi sytë nga gabimi që po bënte dhe ajo filloi ud- hëtimin e saj për të mësuar të donte dhe të pranonte veten. Të inkurajoj të bësh të njëjtën gjë. Bëj një hap besimi dhe thuaj: “E dua veten me dashurinë e Perëndisë. Unë e pranoj veten.”
Ndërsa fillon ta shohësh veten siç të sheh Perëndia, i gjithë qëndrimi dhe prirja jote do të ndryshojnë. Do të bëhesh një person më pozitiv dhe më i sigurt dhe do të fillosh ta shijosh jetën tënde shumë më tepër.
Për shkak se Perëndia të do ty, ti mund ta duash veten.