Mos Harro Perëndinë

Mos Harro Perëndinë

Sepse populli im ka kryer dy të këqija: më ka braktisur mua, burimin e ujit të gjallë, për të hapur sterna, sterna të prishura, që nuk e mbajnë ujin. (JEREMIA 2:13)

Gabimi i parë dhe më i madh që dikush mund të bëjë është të braktisë ose të injorojë Perëndinë, ose të sillet sikur Ai nuk ekziston. Kështu kishte bërë populli për të cilët shkroi Jeremia në vargun e sotëm. Më vonë, në të njëjtin kapitull që përmban këtë varg, Perëndia thotë: “populli im më ka harruar prej një numri shumë të madh ditësh.” (Jeremia 2:32). Çfarë tragjedie; tingëllon sikur Zoti është i trishtuar apo ndoshta edhe i vetmuar.

Sigurisht që nuk do të më pëlqente nëse fëmijët e mi do të më harronin. Unë kurrë nuk kaloj shumë ditë pa folur me secilin prej tyre. Unë kam një djalë që udhëton shumë me shërbesën. Edhe kur është jashtë shtetit, më merr në telefon çdo disa ditë.

Më kujtohet një kohë kur Dejvi dhe unë hëngrëm darkë me një nga djemtë tanë dy mbrëmje radhazi. Megjithatë të nesërmen ai telefonoi vetëm për të parë se çfarë po bënim dhe për të pyetur nëse donim të bënim diçka së bashku mbrëmjen tjetër. Ai gjithashtu telefonoi për të thënë thjesht se ai dhe gruaja e tij i vlerësojnë vërtet të gjitha gjërat që bëjmë për t’i ndihmuar.

Këto janë llojet e gjërave që ndihmojnë në ndërtimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira. Ndonjëherë gjërat e vogla thonë më shumë. Veprimet e fëmijëve të mi më bëjnë të kuptoj se ata më duan. Edhe pse e di me mendjen time që më duan, sigurisht që është mirë të ndjej edhe dashurinë e tyre.

Kështu është Perëndia me ne, bijtë e Tij të dashur. Ai mund ta dijë që ne e duam Atë, por Atij i pëlqen gjithashtu të përjetojë dashurinë tonë për Të përmes veprimeve tona, veçanërisht duke e kujtuar Atë dhe dëshirën tonë për të kaluar kohë me Të.


FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Perëndia kujdeset për gjithçka që të shqetëson ty, ndaj ndihu i lirë të flasësh me të për gjithçka.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon