Duke i pasur këto premtime, o të dashur, le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë. 2 KORINTASVE 7:1
Në mënyrë që të jetojmë në një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë, ka disa vendime që duhet të marrim në baza ditore. Do të ketë raste që duhet t’u themi jo disa gjërave për të cilat do të preferonim t’u thoshim po, dhe po disa gjërave për të cilat do të preferonim t’u thoshim jo. Kjo kërkon mençuri dhe vetëkontroll, por Fryma e Shenjtë na i jep të dyja këto gjëra. Është e rëndësishme t’i mësojmë njerëzve të jetojnë të shenjtë sepse kjo është një pjesë e rëndësishme e të jetuarit në një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. Nuk do të thotë se ne kurrë nuk do të bëjmë asnjë gabim – do të thotë që dëshira e zemrës tonë është të jetojmë në një mënyrë që e kënaq Zotin. Kjo përmbushet duke kërkuar të kënaqim Perëndinë në mendimet tona, bisedat, shoqëritë, muzikën, zbavitjet dhe kështu me radhë.
Nëse mishi ynë dëshiron të ecë në një rrugë, por Fjala e Perëndisë na mëson të shkojmë në një rrugë tjetër, mund të marrim hirin e Perëndisë për t’iu bindur asaj që po thotë Ai. Lajmi i mirë është se ka shpërblim të jashtëzakonshëm kur e bëjmë këtë.
Kur zgjedhim të jetojmë jetën tonë për Perëndinë, dhe jo për veten, do të përjetojmë drejtësi, paqe dhe gëzim në Frymën e Shenjtë. Ne do të jetojmë në fitore, pavarësisht se çfarë vjen kundër nesh. Kjo është një jetë e mrekullueshme— kjo është jeta e bollshme, fitimtare, e mbushur me gëzim që Jezusi vdiq për të na dhënë.
Investoni në të ardhmen tuaj: Zgjidhni të jetoni një jetë pakompromis për Perëndinë.