Prandaj edhe ne e falënderojmë pa pushim Perëndinë, se kur ju keni marrë nga ne fjalën e Perëndisë, e pritët atë jo si fjalë njerëzish, por, sikurse është me të vërtetë, si fjalë Perëndie, që vepron ndër ju që besoni. 1 THESALONIKASVE 2:13
Ju inkurajoj të thoni çdo ditë, “Perëndia po punon në mua tani, Ai po më ndryshon!” Flisni nga goja juaj atë që thotë Fjala, jo atë që ndjeni. Kur flasim vetëm për mënyrën se si ndihemi, është e vështirë që Fjala e Perëndisë të veprojë te ne në mënyrë efektive.
Ndërsa ecim për të qenë gjithçka që mund të jemi në Krishtin, ne do të bëjmë disa gabime, të gjithë bëjnë. Por presioni largohet nga ne kur kuptojmë se Perëndia pret që ne të bëjmë më të mirën që mundemi. Ai nuk pret që ne të jemi të përsosur. Nëse do të ishim të përsosur, nuk do të kishim nevojë për një Shpëtimtar. Unë besoj se Zoti do të lërë gjithmonë një numër të caktuar defektesh tek ne, vetëm që ne të dimë se sa shumë kemi nevojë për Jezusin çdo ditë.
Unë nuk jam një predikuese e përsosur. Ka raste kur i them gjërat në mënyrë të gabuar, raste kur besoj se kam dëgjuar nga Zoti dhe zbuloj se po i dëgjoja nga vetja. Ka shumë raste kur nuk kam përsosmëri. Unë nuk kam besim të përsosur, një qëndrim të përsosur, mendime të përsosura dhe mënyra të përsosura.
Jezusi e dinte se kjo do të na ndodhte të gjithëve. Kjo është arsyeja pse Ai qëndron në hendekun midis përsosmërisë së Perëndisë dhe papërsosmërisë sonë. Ai vazhdimisht ndërmjetëson për ne, sepse ne vazhdimisht kemi nevojë për të (Hebrenjve 7:25).
Ne nuk duhet të besojmë se Perëndia na pranon vetëm nëse veprojmë në mënyrë të përsosur. Ne mund të besojmë të vërtetën se Ai na pranon “në të Dashurin” Birin e Tij. (Efesianëve 1:6).