Dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju. 1 PJETRIT 5:7
Paqja që ia kalon çdo zgjuarsie është diçka e mrekullueshme për tu përjetuar (Filipianëve 4:7). Kur, sipas të gjitha rrethanave, duhet të jesh i mërzitur, në panik, i trazuar dhe i shqetësuar, e megjithatë ke paqe, kjo është e pashpjegueshme. Bota është e uritur për këtë lloj paqeje. Nuk mund ta blesh atë; nuk është për shitje. Është një dhuratë falas nga Perëndia që vjen nga një afërsi e thellë dhe e qëndrueshme me Të, dhe të çon në një lumturi të papërshkrueshme.
Paqja vjen kur ju ia jepni barrën tuaj Zotit, kur ju zgjidhni të dorëzoni shqetësimin tuaj tek Ai në vend që ta mbani për vete. Sa më shpejt ta bëni këtë aq më mirë. Jepjani problemet tuaja Zotit në momentin që e keni. As mos u përpiqni t’i trajtoni vetë. Sa më shumë të prisni, aq më e vështirë është të çliroheni nga shqetësimi dhe ankthi.
Për shkak se Perëndia ka premtuar që Ai është gjithmonë me ne, ne mund të kemi paqe dhe lumturi të jashtëzakonshme…edhe në mes të telasheve. Vetëm Ai mund të na e japë atë. Kjo është çfarë do të thotë të kesh paqen që ia tejkalon çdo zgjuarsie.
Besimtari që po përjeton paqen e Perëndisë nëpërmjet marrëdhënies së tij me Jezusin mund të ketë paqe edhe në mes të stuhive më të forta të jetës.