Përballu me Të Vërtetën

Përballu me Të Vërtetën

Por, duke thënë të vërtetën [në të gjitha gjërat, duke folur me të vërtetë, duke vepruar me të vërtetë, duke jetuar me të vërtetë] me dashuri, të rritemi në çdo gjë drejt atij që është kreu, Krishti. (EFESIANËVE 4:15)

Ju dhe unë jetojmë në një botë të mbushur me njerëz që jetojnë jetë të rreme, duke mbajtur maska të shtirjes dhe duke fshehur gjëra që nuk duan që të tjerët t’i dinë. Kjo është e gabuar. Por arsyeja pse ndodh është se njerëzit nuk janë mësuar të ecin në të vërtetën. Si besimtarë, ne kemi Frymën e Shenjtë që jeton brenda nesh; Ai është Fryma e së Vërtetës dhe Ai na flet të vërtetën.

Ndonjëherë Satani na mashtron, por në raste të tjera ne mashtrojmë veten. Me fjalë të tjera, ne krijojmë një jetë me të cilën jemi të kënaqur në vend që ta përballojmë jetën ashtu siç është në vërtetë dhe t’i trajtojmë çështjet me ndihmën e Frymës së Shenjtë.

Fryma e Shenjtë më flet dhe shpesh më vë përballë me probleme në jetën time, dhe gjithashtu më ka mësuar të jem ballafaquese, jo frikacake. Frikacakët fshihen nga e vërteta; kanë frikë prej saj. Nuk duhet të kesh frikë nga e vërteta. Jezusi u tha dishepujve të Tij se Fryma e Shenjtë do t’i printe në çdo të vërtetë, por Ai gjithashtu u tha atyre se nuk ishin gati të dëgjonin disa gjëra (shih Gjoni 16:12), kështu që Ai nuk ua zbuloi ato gjëra në atë kohë. Fryma e Shenjtë do t’ju thotë gjithmonë të vërtetën, por Ai nuk do t’ju thotë të vërteta të caktuara derisa të dijë se jeni gati t’i dëgjoni ato.

Nëse jeni mjaft të guximshëm për të mirëpritur Frymën e së Vërtetës në çdo fushë të jetës suaj dhe e lini Atë t’ju flasë për çështjet në jetën tuaj, ju jeni në një udhëtim të paharrueshëm lirie dhe fuqie.


FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Mos ki frikë kurrë nga e vërteta.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon