Perëndia Është Gjithmonë Me Ne

Perëndia Është Gjithmonë Me Ne

Sepse ky Perëndi është Perëndia ynë përjetë, gjithnjë; ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje. (PSALMI 48:14)

Është ngushëllim i madh të besosh se Perëndia ka premtuar të na drejtojë për aq kohë sa jemi në këtë tokë. Ne nuk jemi kurrë vetëm sepse Ai është gjithmonë me ne. Ai kujdeset gjithë kohës për ne.

Teksa zhvillon aftësinë tënde për të “dëgjuar” prej Perëndisë, nuk duhet të harrosh se drejtimi hyjnor është një nga mënyrat kryesore se si Ai flet. Fillon me një zakon shpirtëror që e pranon Perëndinë në gjithçka që bën, kërkon drejtim prej Tij dhe pastaj ecën duke e besuar se e ke marrë.

Pak më vonë do dal të bëj pazar dhe do t’i kërkoj Perëndisë të më drejtojë. Ai mund të më drejtojë të bëj një blerje që nuk e pres ose teksa do jem jashtë mund t’i drejtojë hapat e mi në mënyrë që të takoj dikë që ka nevojë për inkurajim. Unë besoj se hapat e mi i drejton Zoti (shiko Psalmi 37:23). Unë i besoj Perëndisë që të më drejtojë tek ajo që duhet të blej dhe të më ndihmojë të mos blej gjëra për të cilat nuk kam nevojë. Dua që të përfshihet në çdo gjë që bëj dhe shpresoj që ti të veprosh po njësoj.

Në shërbesën time të mësimdhënies, përjetoj shpesh drejtim hyjnor. Unë e studioj dhe e përgatis atë që besoj se do të them, por shpesh kur filloj të flas e gjej veten të udhëhequr prej Perëndisë në një tjetër drejtim nga ai që kisha planifikuar. Ai e di se çfarë kanë nevojë të dëgjojnë njerëzit që kanë ardhur dhe është puna ime ta lejoj Atë të marrë drejtimin.

Të inkurajoj të mbash mend se të dëgjosh prej Perëndisë shpesh duket shumë e natyrshme. Mos kërko përvoja të mbinatyrshme, por në vend të kësaj, kërko drejtimin hyjnor të Perëndisë. Fryma e Tij qëndron në ty dhe Ai kënaqet kur përfshihet në të gjitha aktivitetet e tua. Çfarëdo që të bësh sot apo kudo që të shkosh, prit për drejtimin e Tij.


FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Perëndia është gjithmonë me ty dhe do të të drejtojë në çdo gjë që do të bësh sot.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon