Ejani, të adhurojmë dhe të përkulemi; të gjunjëzohemi përpara Zotit që na ka bërë. (PSALMI 95:6)
Unë besoj që adhurimi krijon një atmosferë në të cilën Perëndia mund të na flasë. Adhurimi është i vështirë për t’u përkufizuar. Është më shumë për atë se kush është Perëndia sesa për atë që Ai bën për ne. Adhurimi i vërtetë vjen thellë nga brendësia jonë; është i çmuar dhe madhështor dhe është përpjekja jonë për të verbalizuar atë që ndjejmë për Perëndinë. Është një derdhje e fuqishme e zemrave tona drejt Zotit dhe përfaqëson një thellësi të dashurisë, mirënjohjes dhe përkushtimit që e kemi të vështirë ta shprehim me fjalë. Gjuha njerëzore nuk është aq e pasur sa të përshkruajë gjithçka që është adhurimi i vërtetë. Në fakt, adhurimi është aq personal dhe intim sa që mbase nuk duhet të përpiqemi as ta kufizojmë ose ta përcaktojmë atë me fjalët tona.
Adhurimi është shumë më tepër se sa të këndosh këngë. Në fakt, adhurimi i vërtetë është së pari dhe mbi të gjitha një gjendje e zemrës dhe e mendjes. Ne mund të adhurojmë me pasion pa kënduar asnjë notë. Adhurimi lind në zemrat tona, mbush mendimet tona dhe pastaj shprehet përmes buzëve tona dhe trupave tanë. Nëse zemrat tona janë të mbushura me frikën e Perëndisë, ne do të duam të këndojmë, kërcejmë , të duartrokasim, t’i ngrejmë duart lart në adhurim për Perëndinë. Ne gjithashtu me druajtje dhe nderim mund të qëndrojmë në heshtje dhe të qetë para Perëndisë. Ne mund të duam të japim ofertat tona dhe të ofrojmë forma të tjera të shprehjes së dashurisë tonë për Perëndinë. Por secili prej këtyre veprimeve, nëse bëhet pa zemrën e duhur janë thjesht formalizma dhe të pakuptimta për Perëndinë
Unë ju inkurajoj ta adhuroni sinqerisht Perëndinë sot. Bëjeni për shkak të dashurisë tuaj për Të, dhe mos u habisni nëse Ai ju flet ndërsa jeni duke e adhuruar Atë.
FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Adhurojeni Perëndinë me një zemër mirën‑johëse për çfarë Ai është.