
Zoti të dhëntë përgjigje ditën e fatkeqësisë; emri i Perëndisë të Jakobit të mbrojttë me siguri lart. (PSALMI 20:1)
Nëse ke qenë ndonjëherë në një marrëdhënie, nëse je përpjekur të menaxhosh paratë, të mbash punën, të zbulosh dhe të përmbushësh qëllimin e Perëndisë për jetën tënde, ose je përpjekur të rritesh shpirtërisht – atëherë me siguri ke hasur probleme. Problemet janë pjesë e jetës dhe kur zgjidh një problem, me siguri që do të vijë një tjetër menjëherë pas tij! Kjo është e vërtetë për të gjithë ne dhe edhe pse mund të zhvillohemi dhe maturohemi në aftësitë tona për t’u ballafaquar, duruar, të jemi të patundur, dhe të jetojmë në fitore, gjithmonë do të jemi duke u përballur me një problem apo një tjetër.
Vetëm Perëndia ka zgjidhje për problemet e jetës, dhe gjëja më e mirë që mund të bëjmë me problemet tona është t’ia dorëzojmë Perëndisë. Nuk duhet t’i sjellim nëpër mendje, të flasim, apo të mërzitemi më për to, por thjesht t’ia dorëzojmë presionet dhe problemet e jetës Perëndisë dhe ta lejojmë të zgjidhë gjithçka. Nëse do të mësojmë t’ia dorëzojmë stresin dhe situatat tona Perëndisë, do ta shijojmë më shumë jetën, të tjerët do duan të qëndrojnë me ne dhe do të jemi më të lumtur e më të qetë.
Perëndia mund të bëjë më shumë në një moment se sa mund të bëjmë ne për gjithë jetën duke u sforcuar dhe luftuar. Ai mund të të flasë në një çast dhe ta kthejë një situatë përmbysë; një fjalë prej Tij mund të zgjidhë gjithçka. Asgjë nuk është shumë e vështirë për ta realizuar Perëndia dhe asgjë nuk është shumë e vogël për t’u shqetësuar për Të, ndaj dorëzoja problemet e tua dhe lejoje të të japë zgjidhjet për të cilat ke nevojë.
FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Dorëzoja problemet e tua Perëndisë dhe lejoje të të japë zgjidhjet.