Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe siguroje. PSALMET 34:14
Të qenit në paqe duhet të jetë gjithmonë një prioritet në jetët tona. Tek Psalmi 34:14, Davidi na udhëzon të kërkojmë paqen dhe ta sigurojmë atë. Ja sa e rëndësishme është paqja.
Zhgënjimi dhe stresi janë armiq të zakonshëm të paqes. Shumë herë, për të luftuar këta shkatërrues të paqes, është e nevojshme që ne të riorganizojmë prioritetet tona dhe të heqim dorë nga gjërat që nuk po japin fryte.
Nëse dëshironi të jetoni në paqen e Perëndisë, bëni zgjedhjen të mos i kaloni kufijtë tuaj. Ndërkohë që shumë gjëra në jetën tuaj janë të rëndësishme, a janë vërtetë të nevojshme? Mendojeni për një moment. Filloni të shikoni jetën tuaj, kuptoni angazhimet që nuk po japin asnjë fryt dhe filloni t’i shkurtoni ato gjëra. Ju jeni ata që e vendosni agjendën tuaj, dhe ju jeni të vetmit që mund ta ndryshoni.
Është shumë e rëndësishme të mos e mbi angazhoni veten. Kërkojini Perëndisë mençuri dhe ndiqni udhëzimet e Tij për atë se në çfarë duhet të përfshiheni dhe ku duhet ta përdorni energjinë tuaj. Kur ta bëni, do të kuptoni që koha me Atë është gjithmonë prioritet – çdo gjë tjetër që ju bëni është dytësore. Kur ju e bëni Zotin prioritetin tuaj numër një, dhe kur ju kërkoni drejtimin e Tij se si ti shpenzoni energjitë dhe kohën tuaj pas asaj, ju do të jeni të mahnitur me paqen që do të vijë në jetën tuaj.
Ju mund të qëndroni në sigurinë se Perëndia është me ju në gjithçka që përballeni. Ai nuk ju jep vetëm paqe – Ai është paqja juaj.