Rëndësia E Të Përfunduarit

Rëndësia E Të Përfunduarit

Unë të kam përlëvduar mbi tokë; unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj. – Gjoni 17:4

Disa vite më parë lexova një varg që më bëri të qaj përpara Zotit. Te Ungjilli sipas Gjonit 17:4, Jezusi thotë: “Unë të kam përlëvduar mbi tokë; unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj”. Kjo nënkupton që të ndjekim Perëndinë do të thotë të përfundojmë atë që Ai na ka thirrur të bëjmë.

Prej çastit, kur lexova këtë varg, është bërë shumë e rëndësishme për mua që jo vetëm të bëj çfarë Perëndia më ka thirrur, por edhe ta përfundoj atë.

Ka shumë njerëz që hedhin një hap dhe fillojnë një udhëtim me Perëndinë, por unë nuk mendoj se ka po kaq shumë që e përfundojnë. Apostulli Pal tha: “…sa ta kryej me gëzim vrapimin tim” (Veprat e Apostujve 20:24).

Unë jam e vendosur të përfundoj thirrjen e Perëndisë për mua dhe të shijoj çdo moment të saj. Këtë dua edhe për ju, të shijoni çdo ditë të jetës suaj dhe të përfundoni atë që Perëndia ju ka thirrur të bëni. Shumë gjëra varen nga ne. Nuk varet gjithçka nga Perëndia. Ai e ka bërë pjesën e vet dhe na ka dhënë gjithçka kemi nevojë në Krishtin. Varet nga ne, nëse duam të vazhdojmë të mësojmë, të rritemi dhe të lejojmë Frymën e Perëndisë të punojë në ne. Merrni kohë të mendoheni për gjërat që Perëndia ju ka thirrur të bëni dhe pyetni veten “Çfarë po bëj sot për të përfunduar fuqishëm atë që Perëndia ka vendosur përpara meje?”

Perëndia ka plane të mëdha për ne. Merrini me besim dhe i ndiqni ato me gjithë zemrën tuaj. Sot dua të përkushtohem, në mënyrë që të përfundoj fuqishëm qëllimin e Perëndisë. E di që është një përkushtim që Ai do ta nderojë.


Lutje

Perëndi, unë dua të jem në gjëndje të them se e kam përfunduar punën që Ti ke për mua, ashtu si bëri Jezusi. Faleminderit që punon në mua për të më dhënë fuqi dhe dëshirë të jetoj për qëllimin Tënd dhe të përfundoj vrapimin tim me gëzim!

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon