Kush ju dëgjon, më dëgjon mua; kush ju përbuz, më përbuz mua; dhe kush më përbuz, përbuz atë që më ka dërguar. LUKA 10:16
Është një fakt i jetës që do të përballemi me refuzim herë pas here. Davidi u përball me refuzimin. Pali u përball me refuzimin. Edhe Jezusi u refuzua. Pra, kur vuani refuzimin për të bërë atë që Perëndia ju drejton të bëni, duke bërë gjëra që janë të ndryshme nga ato që po bëjnë të tjerët përreth jush, mos u dëshpëroni; ju jeni në shoqëri të mirë.
Kur fillova të predikoja për herë të parë, isha e pasigurt dhe mora pjesën time të kritikave dhe refuzimeve. Kishte raste kur isha shumë e dekurajuar. Më në fund, Zoti më foli në frymën time dhe tha: “Unë jam Ai që të thirri. Mos u shqetëso se çfarë mendojnë njerëzit. Nëse e bën këtë, do të shqetësohesh gjithë jetën, sepse djalli nuk do të ndalojë kurrë së gjeturi njerëz që mendojnë diçka të pahijshme për ty.”
Tek Veprat e Apostujve 28:1–5, kur apostulli Pal u kafshua nga një gjarpër, ai thjesht e shkundi gjarprin dhe nuk pësoi asnjë efekt të keq. Kjo është ajo që ne mund të bëjmë me refuzimin. Kur jemi afër Perëndisë dhe gjejmë identitetin tonë tek Ai, në vend të mendimit të njerëzve të tjerë për ne, ne mund të shkundim çdo gjë që përpiqet të na dekurajojë. Çfarëdo me të cilën po përballeni sot – frika, refuzimi, shkurajimi, zhgënjimi, vetmia – shkundeni dhe vazhdoni.
Edhe kur refuzimi ynë vjen nga njerëzit që janë pranë nesh, ne mund të jemi të vendosur të vazhdojmë me ngulm përpara drejt përmbushjes së asaj që Perëndia na ka thirrur të bëjmë