Si Të Jemi Të Lumtur

Si Të Jemi Të Lumtur

Dhe, duke pasur dhunti të ndryshme (aftësi, talente, cilësi) sipas hirit që na u dha, nëse kemi profecinë, të profetizojmë sipas masës së besimit; (ROMAKËVE 12:6)

Ne jemi të gjithë të pajisur me dhunti të ndryshme, plot hir për të vepruar në ato dhunti që Perëndia na ka dhënë. Vargu i sotëm na thotë që ne duhet t’i përdorim dhuntitë tona sipas hirit që është mbi ne.

Dy njerëz mund të kenë dhuntinë e mësidhënies, por njëri mund të jetë një mësues më i fortë se tjetri, sepse ai ose ajo ka më shumë hir nga Perëndia për atë thirrje të veçantë. Pse? Sepse Fryma e Shenjtë i shpërndan dhurata kujtdo që Ai do (shih 1 Korintasve 12:11). Ai ka arsyet e Tij për atë që bën dhe ne duhet t’i besojmë Atij në këtë. Ne duhet të jemi mirënjohës për atë që Ai na jep dhe të mos bëhemi xhelozë për dhuntinë e dikujt tjetër. Ne nuk mund të ecim në dashuri me njerëzit dhe t’i kemi zili dhuntitë e tyre në të njëjtën kohë.

Bashkëshorti im mund të bëhet xheloz sepse Perëndia më ka dhënë dhuntinë e predikimit, të cilën nuk ja ka dhënë atij. Deivi e ka kuptuar shumë kohë më parë që ai nuk do të ishte i lumtur nëse përpiqej të operonte jashtë hirit që i është dhënë atij. Nëse ai do të përpiqej të ishte çfarë unë jam, ai do ta humbiste gëzimin e tij. Deivi është i vajosur në administrim dhe financë, dhe pjesa e tij në shërbesën tonë është po aq e rëndësishme sa e imja.

Nëse dëshironi të jeni vërtetë të lumtur, jepeni veten në atë që jeni thirrur të bëni dhe keni hirin për ta bërë. Fryma e Shenjtë do t’ju flasë rreth asaj që duhet të bëni dhe do t’ju ndihmojë të kuptoni hirin që ju është dhënë. Mos u xhelozoni për të tjerët, por ecni në dashuri drejt tyre dhe në besnikëri ndaj thirrjes dhe hirit që është në jetën tuaj.


FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Ti je një person i mrekullueshëm me dhunti dhe aftësi të jashtëzakonshme, dhe nuk ke nevojë të krahasosh veten me askënd tjetër.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon