Sepse, sikurse në një trup kemi shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët nuk kanë të njëjtin funksion, kështu edhe ne, megjithëse jemi shumë, jemi një trup në Krishtin dhe secili gjymtyrë të njëri-tjetrit. (ROMAKËVE 12:4-5)
Vargu i sotëm na mëson për shumëllojshmërinë e dhuntive të dhëna. Ne të gjithë jemi pjesë e të njëjtit trup, e trupit të Krishtit, dhe Ai është Kreu. Në sferën fizike, të gjitha pjesët e trupit duhet të jenë të lidhura me kokën në mënyrë që gjithçka të funksionojë siç duhet. Pjesët e ndryshme të trupit fizik punojnë bashkë. Ato nuk janë xheloze dhe as në konkurrencë. Duart ndihmojnë këmbën të veshë këpucën. Këmbët e çojnë trupin kudo që duhet të shkojë. Goja flet për pjesën tjetër të trupit. Trupi ka shumë gjymtyrë. Ato nuk kanë të njëjtin funksion, por të gjitha funksionojnë së bashku për një qëllim të kombinuar. Trupi frymëror i Krishti duhet të funksionojë në të njëjtën mënyrë. Ja pse Fryma e Shenjtë përdori shembullin e një trupi fizik kur frymëzoi Palin të shkruante letrën drejtuar Romakëve.
Kur përpiqemi të funksionojmë në ndonjë mënyrë tjetër nga mënyra se si Zoti na ka krijuar dhe na ka caktuar të funksionojmë, ne përfundojmë me presion në jetën tonë. Por kur bëjmë atë që Perëndia na ka caktuar të bëjmë, ne përjetojmë gëzim, kënaqësi dhe shpërblim të madh. Ne duhet të punojmë me Frymën e Shenjtë për të zbuluar se cili është fati ynë unik, i personalizuar dhe më pas të bëjmë gjithçka që mund të bëjmë për ta përmbushur atë. Kur Zoti ju ka dhënë dhuntinë apo mundësuar të bëni diçka, ju do të jeni të mirë në atë gjë, ndaj gjeni diçka në të cilën jeni të mirë dhe filloni ta bëni.
FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Nëse dëshironi të përdoreni nga Perëndia, atëherë gjeni një nevojë dhe plotësojeni atë.