Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha sa dëgjova nga Ati im.(GJONI 15:15)
Tek Zanafilla 18:17, Perëndia e quan Abrahamin mikun e Tij dhe më pas ndan me të planin e Tij për të shkatërruar Sodomën dhe Gomorën. Ashtu siç i ndau synimet e Tij me Abrahamin , po në të njëjtën mënyrë Ai do të ndajë me ty – zemrën e Tij, dëshirat e Tij, qëllimet e Tij, planet e Tij – sepse je miku i Tij. Ai do t’ju japë mirëkuptim dhe njohuri për atë që po ndodh në jetën tuaj dhe do t’ju tregojë se çfarë të bëni në lidhje me të. Ai do t’ju udhëheqë dhe do t’ju ndihmojë të përgatiteni për të ardhmen. Si miku i Perëndisë, nuk keni pse të kapeni në befasi ose të ziheni në pritë nga rrethanat tuaja. Mund të jeni të informuar dhe të gatshëm ‑ sepse jeni mik i Perëndisë dhe dëgjoni zërin e Tij. Ai mund të mos ju zbulojë gjithçka që dëshironi të dini saktësisht kur dëshironi ta dini, por Ai do t’ju udhëheqë dhe do t’ju japë forcë ndërsa i besoni me durim.
Ju mund të pyesni, “Si të bëhem miku i Perëndisë?” Sipas vargut të sotëm, ju jeni tashmë miku i Tij. Në këtë varg, Jezusi i tha dishepujve të Tij, “Unë ju kam quajtur miq.” Nëse je një ndjekës i Jezusit, ti je një dishepull i ditëve moderne dhe je miku i Tij. Si në çdo miqësi, ti mund të jesh thjesht një i njohur i Tij ose mund të jesh një mik i ngushtë në një marrëdhënie të ngushtë personale. Miqësia juaj me Perëndinë rritet dhe zhvillohet njësoj siç rriten dhe zhvillohen miqësitë e tjera. Ashtu si miqësitë natyrshëm kërkojnë kohë dhe energji për t’u zhvilluar, po ashtu kërkon kohë dhe energji marrëdhënia juaj me Perëndinë.
Unë ju inkurajoj të investoni kohë dhe energji në marrëdhënien tuaj me Perënd‑ inë sot duke ia dhënë Atij vëmendjen tuaj përmes leximit dhe meditimit të fjalës së Tij dhe duke biseduar dhe dëgjuar prej Tij si një mik.
FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Bëni vend në orarin tuaj për të investuar kohë dhe energji në marrëdhënien tuaj me Perëndinë