Të tëra këto të janë treguar, në mënyrë që të pranosh se Zoti është Perëndi dhe që nuk ka asnjë tjetër veç tij. LIGJI I PËRTËRIRË 4:35
Mungesa e njohurisë shkakton frikë, por siguria dhe njohuria e duhur largon frikën dhe sjell forcë dhe kurajo. Më lejoni t’ju jap një shembull: Një natë vite më parë isha e shtrirë në shtrat dhe dëgjova zhurma të çuditshme që vinin nga diku në shtëpi. Sa më shumë e dëgjoja aq më e frikësuar bëhesha. Më në fund duke u dridhur nga frika, unë dola nga dhoma të shoh se çfarë po ndodhte. M’u desh të qeshja kur zbulova se ishin kuba akulli që binin në tabakanë e akullit nga akullbërësi. Për ndonjë arsye, ata po bënin një zhurmë që normalisht nuk e bënin.
Ngaqë nuk e dija se çfarë ishte kjo zhurmë, u frikësova pa qënë nevoja. Kështu ndihen shpesh njerëzit në jetën e tyre. Ata nuk e dinë se Perëndia i do, Ai është me ta dhe Ai ka siguruar gjithçka që u nevojitet, kështu që ata janë të tmerruar nga shumë gjëra. Kur dëgjojnë për vështirësi ekonomike, kanë frikë. Kur dëgjojnë se dikujt nuk i pëlqen, i zë paniku.
Kur dëgjojnë një raport negativ për lajmet e mbrëmjes, tmerrohen.
Nëse keni njohuri se kush është Perëndia dhe kush jeni në Krishtin, frika nuk do të ketë vend në jetën tuaj. Pavarësisht se si duket situata nga jashtë, do të kesh një paqe në zemër, një siguri që mbush çdo fushë të jetës sate.
Kur tinguj të panjohur të botës përpiqen të të mbushin me frikë, ji i sigurte që Perëndia është me ty.