Vepro, pavarësisht frikës!

Joyce Meyer

Vepro, pavarësisht frikës!

Frika! A ka qenë ndonjëherë problem për ju, duke ju penguar të ecni përpara në fusha që mund ta pasurojnë jetën tuaj, apo jetën e dikujt tjetër? Ekziston një zgjidhje.

Një nga përfitimet më të mëdha në dispozicion të të krishterëve, është çlirimi nga frika. Kur shmangim ndryshimet, apo përballjen me çështje të ndryshme në jetën tonë, për shkak të frikës, ose ndrojtjes, ne duhet të kujtojmë se Perëndia na ka premtuar se do të ecë para nesh dhe do të na nxjerrë prej andej fitimtarë, ndërsa i bindemi Atij.

Si të jesh i përgatitur

Kur keni një intervistë pune, për shembull, në vend që të keni frikë se mund të lini përshtypje të keqe dhe nuk do ta fitoni vendin e punës, ju duhet t’i kërkoni Perëndisë që të përgatisë zemrën dhe mendjen e intervistuesit dhe t’ju ndihmojë që ta prezantoni veten në më të mirën e mundshme. Kur Perëndia “përgatit rrugën”, ju mund të besoni se çfarëdo që të ndodhë, do të jetë për të mirën tonë, sipas planit të përsosur që Ai ka për ne.

Bibla na tregon për një burrë që quhej Abram, i cili i besoi Perëndisë, pavarësisht frikës së tij. Por Zoti i tha Abramit: “Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd, dhe shko në vendin që do të të tregoj (Zanafilla 12:1).

Si të jesh i pandalshëm

Si do të ndiheshit sikur Perëndia t’ju thoshte të linit shtëpinë tuaj, familjen dhe çdo gjë tjetër që njihni dhe që është e rehatshme për ju, dhe të niseshit për në një vend të panjohur? Shumë të frikësuar? Kjo ishte pikërisht sfida me të cilën u përball Abrami- gjë që e frikësoi shumë atë.  Por fjalët e Perëndisë për të ishin: “Mos ki frikë!”. Është i njëjti mesazh që Ai i dha edhe Jozueut, kur e thirri të udhëhiqte fëmijët e Izraelit drejt tokës që Ai u kishte premtuar se do t’u jepte si trashëgimi (lexo Jozueu 1:6-9). Dhe të gjithëve atyre që janë të vendosur të ndjekin planin e Perëndisë sot, Ai u thotë: “Mos ki frikë!”.

Elisabeth Elliot, burri i së cilës u vra së bashku me misionarët e tjerë në Ekuador, thotë se jeta e saj ishte plotësisht e kontrolluar nga frika. Sa herë që ajo fillonte të hidhte hapin drejt predikimit, frika e ndalte. Pastaj, një mike e saj i tha diçka që e çliroi. Mikja e saj i tha: “Përse nuk vepron me frikë?” Elisabeth e dëgjoi dhe e zbatoi atë këshillë. Së bashku me Rachel Saint, motrën e njërit prej misionarëve të vrarë, shkuan të ungjillizonin fiset indiane të Ekuadorit, përfshirë këtu edhe ata që kishin vrarë njerëzit e tyre të dashur.

Shumë herë ne mendojmë se duhet të presim për të bërë diçka, deri sa të mos kemi më frikë. Por nëse e bëjmë këtë gjë, ndoshta mund të realizojmë shumë pak gjëra për Perëndinë, për të tjerët, madje edhe për veten tonë. Abrahami dhe Jozueu duhet të hidhnin hapin me besim dhe bindje ndaj Perëndisë dhe të bënin atë që Ai i udhëroi të bënin, edhe pse ndiheshin të frikësuar.

Mos vrapo!

Besoj se fjalët “mos ki frikë”, thjesht do të thonë “mos vrapo”. Kështu, zgjidhja për frikën është e thjeshtë: Më mirë se sa të gjunjëzohemi dhe t’i dorëzohemi asaj, le të qëndrojmë të vendosur kundër saj, duke ditur se Perëndia ka ecur para nesh dhe ka përgatitur rrugën për ne.

Kjo është pikërisht ajo që Perëndia dëshiron të bëjmë. Edhe nëse goja na thahet dhe gjunjtë na dridhen, ne duhet të vazhdojmë t’i kërkojmë Perëndisë të na forcojë. Ne duhet të vendosim se jeta jonë nuk do të sundohet nga frika, por nga Fjala e Perëndisë.

Siç e pamë më parë tek Zanafilla, Perëndia i dha Abramit një urdhër. Ai i tha: “Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd, dhe shko në vendin që do të të tregoj .” Nëse Abrami do të ishte gjunjëzuar para frikës, nuk do ta kishte përmbushur kurrë planin e Perëndisë për të, e nuk do të bëhej ai që Perëndia e kishte krijuar të ishte- at i shumë kombeve të tjerë.

Po kështu, nëse Jozueu nuk do ta kishte kapërcyer frikën e tij e nëse nuk do t’i bindej udhërit të Perëndisë për të udhëhequr njerëzit e Tij drejt Tokës Së premtuar, ata kurrë nuk do të kishin shijuar atë që Perëndia kishte përgatitur për ta.

Dorëzimi ndaj frikës e pengon planin e Perëndisë për jetën tuaj. Kështu, përdorni pushtetin e Fjalës së Perëndisë, për të bërë atë që Ai dëshiron të bëni… edhe nëse do t’ju duhet ta bëni të frikësuar! Shpërblimi është i madh.

Ky artikull është marrë nga mësimet audio të Joyce-it, me titull “Ta mposhtësh frikën me besim”.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon