Përgjigje për cdo ditë

Si të parandalojmë rënien në depresion

nga Joyce Meyer

Si të parandalojmë rënien në depresion

A jeni të lumtur vetëm nëse gjërat në jetën tuaj shkojnë mirë? A varet lumturia juaj nga ky fakt? Nëse mendoni se nuk mund të jeni të lumtur, kur rrethanat tuaja nuk janë të mira, atëherë kurrë nuk do të jeni të lumtur.

Të gjithë në jetë, përjetojmë kohë kur ndihemi keq për arsye nga më të ndryshmet, por nuk mund të lejojmë që rrethanat ku ndodhemi, të kontrollojnë emocionet tona. Satani kërkon të mbushë mendjen tonë me mendime negative dhe emocione që na bëjnë të ndihemi keq.

Ai është dekurajuesi dhe na zhyt poshtë emocionalisht, frymërisht, financiarisht dhe në çdo mënyrë që të mundet. Por Jezusi është Inkurajuesi ynë dhe Ai erdhi të na ngrejë lart. Ai erdhi të na japë drejtësi, paqe dhe gëzim dhe të gjitha ndjenjat që na bëjnë të ndihemi mirë!

Të gjithë përjetojmë periudha acarimi dhe stresi për shpresa dhe ëndrra të papërmbushura. Kur gjërat nuk shkojnë sipas planeve tona, është normale që të ndjejmë zhgënjim. Por duhet të jemi të kujdesshëm në mënyrën se si përballemi me këtë ndjenjë, sepse zhgënjimi është faza fillestare e depresionit. Nëse mbetemi në fazën e zhgënjimit për një kohë të gjatë, ai kthehet në dekurajim, dëshpërim dhe në fund, në depresion. Psalmi 30:5 na thotë: “… Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.”

Gjërat mund të na bëjnë të ndihemi të trishtuar përkohësisht, por nuk duhet të qëndrojmë të trishtuar, ashtu sikurse nuk mund të qëndrojmë të zemëruar për një kohë të gjatë. Nëse qëndrojmë kështu, Satani përfiton nga kjo derë e hapur dhe i fut gjërat e tij më shumë në jetën tonë, duke sjellë kështu edhe më shumë probleme.

Mos u besoni ndjenjave dhe mendimeve tuaja

Armiku ynë numër një, janë emocionet. Ne kemi tendencën të drejtohemi nga mënyra se si ndihemi, por duhet të kuptojmë se ndjenjat janë një shkëndijë; ato mund të ndryshojnë nga dita në ditë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos ndjekim pas çdo mendim që na vjen, sepse mendimet dhe ndjenjat nuk na thonë të vërtetën. Për shumë vite në jetën time, kam përjetuar depresion të vazhdueshëm. Kisha mëngjese kur ngrihesha me atë zërin brenda mendjes sime që më thosjhte: “Ndihem e depresionuar.” Besoja se ky ishte mendimi im, pa e kuptuar se ishte Satani që më bënte sygjerime, përmes mendjes sime. Më vonë, kur Perëndia më tërhoqi të ecja më pranë Tij dhe unë fillova ta studioja seriozisht Fjalën e Tij, mësova se nuk kisha përse të ndiqja çdo mendim dhe çdo ndjenjë që kisha. Fillova të flisja me zë të lartë e të thosha: “Unë nuk do të jem e depresionuar!” Mësova se si të vishja mantelin e lavdërimit, për të cilin flitet tek Isaia 61:3. Jo gjithmonë mund të ndihemi sikur duam të lavdërojmë, por një njeri fitimtar nuk e ka luksin që të jetojë sipas asaj ndjenjave të tij.

Unë mësova se po të qëndroja në zhgënjim, mund të filloja të ndihesha e dekurajuar, që është një problem edhe më i thellë se zhgënjimi. Por gjithashtu, mësova se nuk mund të jesh edhe i dekurajuar, por edhe të kesh shpresë në të njëjtën kohë. Kështu që, sapo djalli na sulmon me zhgënjim dhe ne fillojmë të ndihemi të dekurajuar, duhet të kthehemi tek Fryma E shenjtë dhe ta lejojmë Atë të na mbushë me shpresë. Një periudhë e shkurtër dekurajimi, mund të mos ketë ndonjë ndikim shkatërrues, por një dekurajim për kohë të gjatë mund të na çojë në depresion, që është një problem shumë serioz.

Kundërshtojeni djallin dhe ngazëllehuni në Zotin!

Depresioni është përkufizuar pjesërisht si “gjendje shpirtërore patologjike e njeriut, që shfaqet me një lodhje të përgjithshme, me dobësimin e guximit e të vetëveprimit, rënie shpirtërore.” Shkaku i vërtetë i depresionit, nuk është situata ku ndodhemi, por qëndrimi në lidhje me atë situatë. Të mësosh se si të jetosh në anën tjetër të ndjenjave, është e mundur. Ne gjithmonë do të kemi ndjenja; ato kurrë nuk do të largohen, por ne mund të bëjmë që ato të jenë në përputhje me vendimet tona. Prandaj Perëndia na jep frytin e vetëkontrollit. Jakobi 4:7 na thotë ta kundërshtojmë djallin dhe gjithashtu, duhet ta kundërshtojmë edhe depresionin dhe ço gjë që ngjan me të, sepse ai është nga djalli. Filipianëve 4:4 thotë:  “Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni!” Nëse qëndrojmë të mbushur me gjënë e drejtë, nuk do të ketë vend për gjërat e gabuara.

Nëse nuk lejoni që djalli t’ju bëjë përshtypje me atë që bën, atëherë ai nuk do t’ju shtypë dot; dhe nëse nuk ju shtyp dot, atëherë as nuk mund t’ju depresionojë. Kështu, zgjidhni të drejtoheni nga Fryma E shenjtë dhe mund të keni fitore mbi depresionin. Ne mund të zgjedhim të mbajmë një qëndrim shpresues, duke ripërtërirë mendjen tonë me premtimet që gjenden në Fjalën e Perëndisë. Mund të shpallim premtimet si të jenë tonat dhe të qëndrojmë në besim, duke besuar se Perëndia do të na ndihmojë t’i mposhtim ndjenjat dhe të ecim përpara drejt gjërave më të mira.

Ne nuk mund të kontrollojmë rrethanat ku ndodhemi, por nuk ka përse të lejojmë që ajo që ndodh sot, të prishë të nesërmen. Ne mund ta ndryshojmë rrjedhën e gjërave, duke marrë vendimin se do ta harrojmë situatën që na shkaktoi zhgënjim dhe dekurajim, dhe do të ecim përpara drejt gjërave të mira që Perëndia ka planifikuar për të ardhmen tonë.

Shumë njerëz janë të depresionuar, sepse nuk mund të përballen me të vërtetën, por Fryma E shenjtë erdhi ta zbulojë të vërtetën për ne. Nuk mund ta kapërcejmë depresionin, nëse vazhdojmë të nxjerrim justifikime dhe të fajësojmë gjithë të tjerët. Duhet të përballemi me të vërtetën dhe të marrim përgjegjësinë për veprimet tona. Kur e bëjmë këtë dhe i kërkojmë Perëndisë të na ndihmojë, fryma e rëndë do të na largohet dhe do të ndihemi të lehtësuar e të çliruar. Jezusi na thotë tek Mateu 11:30: “… zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë.” Depresioni nuk e ndryshon situatën dhe është një humbje kohe e vjedhës i gëzimit.

Kështu, nuk duhet të lejojmë më që ndjenjat, mendja, trupi dhe përvojat e së kaluarës të na sundojnë, por të lejojmë Perëndinë të na japë një plan, ide dhe një synim të ri. Ne mund të përjetojmë fitore mbi emocionet, nëse drejtohemi, udhëzohemi, kontrollohemi dhe sundohemi nga Fryma E shenjtë, të cilin Jezusi na e dërgoi si Ngushëllues, Këshillues, Ndihmues, Ndërmjetësues, Avokat dhe Të pranishëm gjatë gjithë kohës, për të qëndruar me ne përgjithmonë. (lexo Gjoni 14:16). Lavdi Perëndisë, nuk ka përse të jemi të zhgënjyer, të dekurajuar, të depresionuar dhe të dëshpëruar. Jezusi nuk është vetëm Udha, por Ai është gjithashtu edhe Rrugëzgjidhja! Jezusi është Shëruesi ynë, lavdia jonë dhe Ai që na ngre kokën.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon