Të jesh vetëm, nuk do të thotë të jesh i vetmuar

Joyce Meyer

Të jesh vetëm, nuk do të thotë të jesh i vetmuar

Një problem i madh me të cilin njerëzit përballen sot, është vetmia. ndërsa udhëtoj nëpër botë, shoh se si një numër në rritje njerëzish, kërkojnë ndihmë dhe udhëzime për t’i bërë ballë vetmisë në jetën e tyre.

Në Bibël, Perëndia na thotë se nuk jemi vetëm. Ai dëshiron të na çlirojë, të na ngushëllojë dhe të na shërojë. Por njerëzit ndeshen me humbje shumë të dhimbshme në jetën e tyre, dhe fatkeqësisht, shumë prej tyre nuk arrijnë kurrë që të shkëputen prej asaj që ka ndodhur. Ndonjëherë, kur ndodh një tragjedi e papritur, dhimbja duket e padurueshme. Pa marrë ndihmë, vetmia do të zërë vend si një re që rri pezull mbi një person, apo mbi një familje, dhe duket sikur nuk largohet asnjëherë.

Ka shumë shkaqe për vetminë, por shumë njerëz nuk e kuptojnë se nuk kanë përse të jetojnë kështu. Ata mund të përballen e të merren me të.  Vetmia shpesh manifestohet në formën e një dhimbjeje të brendshme, një boshllëku, apo si një dëshirë e madhe për vëmendje. Efektet anësore të saj përfshijnë ndjesinë e zbrazëtisë, ndjesinë e të qenit të padobishëm, apo sikur nuk ke asnjë qëllim në jetë.

A je vetëm (i pavarur, jeton vetëm)? Apo, je i vetmuar (i izoluar, i braktisur, i trishtuar për shkak të mungesës së miqve)? Ka një ndryshim vërtet shumë të madh. Është e rëndësishme të kuptoni se fakti që jeni vetëm, nuk do të thotë se duhet të ndiheni patjetër të vetmuar. Edhe pse mund të mos jetë gjithmonë e mundur që të shmangni të qenit vetëm, ka gjithmonë përgjigje për vetminë. Shumë herë vetmia vjen si pasojë e një traume, apo krize, që shkaktohet nga vdekja e një njeriu të dashur, nga divorci, apo nga ndarja. Kur diçka ndodh, na bën të kuptojmë se gjërat nuk do të jenë kurrë si më parë. Kjo gjë shpesh krijon kriza ose trauma në jetën tonë, të cilat mund të na çojnë në një ndjesi vetmie dhe dëshpërimi.

Si një plagë që po shërohet, dhimbja mund të ndihet për një kohë të gjatë, por rimëkëmbja e plotë kërkon përmirësime të përditshme. Kur një plagë fizike nuk shërohet, do të thotë se është infektuar dhe se duhet trajtuar me mjekim. Unë besoj se e njëjta gjë ndodh edhe me plagët emocionale: pjesa jonë emocionale duhet të shërohet, ashtu sikurse edhe pjesa fizike. Perëndia na dha emocione, ashtu sikurse na dha edhe trupin fizik. Ai siguroi restaurimin tonë emocional në Të, ashtu sikurse ka siguruar edhe restaurimin fizik. Është e vërtetë që gjithmonë do t’ju mungojë ai person, apo ajo gjë që keni humbur, por kjo nuk do të thotë se duhet të vuani përgjithmonë nga vetmia.

Besoj se ka dy gjëra që duhet të bëjë çdo person që dëshiron të kapërcejë vetminë:

  1. Duhet të dini se Perëndia është me ju gjatë gjithë kohës. Në Bibël, Perëndia na kujton se Ai është gjithmonë me ne dhe se kurrë nuk do të na braktisë (lexo Hebrenjve 13:5). Vetmia shpesh na shtyn t’i bëjmë vetes petje nga më të ndryshmet, të cilat nuk mund të marrin përgjigje, si për shembull: Po sikur të mbetem vetëm për gjithë jetën? Po sikur dhimbja që ndjej të mos largohet kurrë? Po sikur të kem një problem që nuk mund ta përballoj e vetme? Po sikur… po sikur… po sikur..? Pyetjet mund të vazhdojnë dhe të jenë pa fund. Ka mundësi që kurrë në jetën tuaj, të mos jeni në gjendje t’u përgjigjeni pyetjeve “po sikur”. Por përsa kohë që e dini se Zoti është me ju, mund të jeni të sigurt se Ai i ka të gjitha përgjigjet që ju nevojiten.
  1. Ngulmoni me agresivitet drejt një jete të re. Jo çdo gjë në jetën tuaj ka marrë fund; vetëm një pjesë e tyre ka përfunduar. Një stinë ka kaluar dhe një stinë tjetër mund të fillojë tani, nëse ju jeni të gatshëm të ndërmerrni veprime. Mos rrini pasivë, duke pritur që diçka të ndodhë, apo dikush të bashkohet me ju. Dilni e bëni miq të rinj. Gjeni dikë tjetër që është i vetmuar dhe bëhuni një mik për atë person. Ju do të korrni atë që keni mbjellë dhe Perëndia do t’ua kthejë shumëfish atë miqësi.

Lejoni që vetmia që ndjeni të kthehet në dhembshuri për dikë tjetër që është i vetmuar dhe pastaj vendosni të bëni diçka për të!

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon