Përgjigje për cdo ditë

Çelësi për të kapërcyer çdo frikë që keni

nga Joyce Meyer

Çelësi për të kapërcyer çdo frikë që keni

Të gjithë përjetojnë frikë në jetën e tyre. Ka frikëra të mëdha, për të cilat jemi të vetëdijshëm, por edhe të vogla, të cilat as që nuk e dimë se i kemi.

Unë kam mësuar se është shumë e rëndësishme të kuptojmë se çfarë është frika dhe se si punon ajo kundër nesh, sepse nëse nuk e kuptojmë, ajo do të na pengojë të bëhemi ata që Perëndia na krijoi të jemi. Dhe kjo do të thotë që nuk do ta përmbushim qëllimin tonë në jetë.

Frika është një skemë djallëzore

“Perëndia dëshiron që ne të ecim në besim, kurse Satani dëshiron që ne të ecim në frikë.

Frika është një mjet i përdorur nga djalli kundër nesh, për të na bërë të mjerë dhe për të shkatërruar jetën tonë. Ajo fillon si një mendim dhe pastaj, shkakton emocione që mund të sundojnë mbi ne. Shpesh, frika bëhet një ndjenjë e fortë, e vazhdueshme që përpiqet të na shtyjë të bëjmë veprime të marra, ose të na pengojë të bëjmë diçka që do të ishte shumë e mirë për ne. Duke qenë se është një mënyrë e zakonshme se si Satani sulmon jetën e njerëzve, unë e shoh frikën si frymë zotëruese, të cilën ai e përdor për të manipuluar njerëzit dhe për t’i privuar ata nga vullneti i Perëndisë.

E thënë thjesht, frika është e kundërta e besimit. Perëndia dëshiron që ne të ecim në besim, kurse Satani dëshiron që të ecim në frikë. Kur mësojmë të jetojmë në besim dhe të mos lejojmë që frika të sundojë jetën tonë,  ne mund të jetojmë një jetë të përmbushur, të kënaqshme, paqësore dhe me gëzim në Krishtin.

Siç e thashë më parë, frika fillon me një mendim. Fjalët E urta 23:7 na thotë:  “…ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është njeriu ” (NKJV). Mua më pëlqen ta them në këtë mënyrë: Njeriu shkon, aty ku mendja e tij shkon.

Të gjesh lirinë

Ja përse Bibla flet rreth meditimit mbi Fjalën e Perëndisë, si edhe për një mendje të ripërtërirë (lexo Romakëve 12:2), që kështu të mund të njohim se cili është vullneti i Perëndisë. Të meditosh do të thotë të mendosh mbi shkrimet vazhdimisht e vazhdimisht në mendjen tënde, deri sa ato të bëhen pjesë e jotja. Meditimi e merr informacionin dhe e kthen atë në zbulesë.

Kur ju merrni zbulesë për diçka, atëherë do të dini që e dini se e dini atë, dhe e vërteta në lidhje me të, do t’ju bëjë të lirë nga ajo gënjeshtër që po ju pengonte diçka që Perëndia kishte për ju.

A po ju pengon frika?

Pyes veten se sa shumë njerëz kanë dhunti dhe talente që Perëndia ua ka dhënë, por nuk po i përdorin ato, sepse kanë provuar dhe kanë dështuar?

Shumë njerëz janë të acaruar, sepse ata e dinë se nuk bëjnë atë që duhet të bëjnë dhe po lejojnë që frika të sundojë mbi ta.

Unë dëshiroj që ju të merrni një zbulesë për këtë, sepse nuk do të jeni kurrë vërtet të lumtur, nëse nuk përmbushni potencialin tuaj dhe të jeni ata që Perëndia ju krijoi të jeni.  Çelësi është të mësoni se kush jeni në Krishtin dhe ta shihni veten tuaj në Të.

Kur ne rilindemi përmes një marrëdhënieje me Jezus Krishtin, në fakt bëhemi “vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë …[për të jetuar jetën e mirë që Ai përgatiti që më parë për ne, që ne ta jetojmë]” (Efesianëve 2:10 AMP).

Kështu, gjithçka që Jezusi është, jemi edhe ne. Ai është i fortë, në Të edhe ne jemi të fortë. Ai është i guximshëm, në Të edhe ne jemi të guximshëm. Ai ka paqe dhe gëzim, në Të edhe ne kemi paqe dhe gëzim. Ai është i aftë dhe guximtar. Në Krisht, ne mund të bëjmë gjithçka që duhet të bëjmë, me guximin e Tij.

Ndërsa studioni Biblën dhe meditoni mbi atë që Perëndia thotë për ju, ju do të jeni të gjendje të kuptoni frikën në jetën tuaj, atë frikë që ju pengon, dhe do ta kapërceni atë duke e parë veten tuaj në Krishtin. Pastaj, ju do të shihni se keni gjithçka që ju nevojitet, për të bërë atë që jeni krijuar të bëni.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon