Përgjigje për cdo ditë

Si të pranosh faljen e Perëndisë

nga Joyce Meyer

Si të pranosh faljen e Perëndisë

A i shërbeni Perëndisë, apo ndjenjave tuaja?

Tani, kjo mund të duket si një pyetje e çuditshme për një besimtar, por në të vërtetë, nuk është. Më lejoni ta them kështu: Kur ju i kërkoni Perëndisë t’ju falë, a e pranoni menjëherë faljen e Tij, apo e harxhoni kohën kot, duke u ndjerë fajtorë?

Shumë të krishterë luftojnë me fajin dhe dënimin. Ata po përpiqen t’i paguajnë Perëndisë boxhin për atë që kanë bërë gabim, ndërkohë që Jezusi tashmë e ka bërë të drejtë.

Dashuria pa kushte e Perëndisë është një koncept shumë i vështirë për t’u pranuar nga njerëzit, sepse në botë, gjithmonë duhet të paguajnë për çdo gjë që marrin. Thjesht kështu funksionojnë gjërat. Por Perëndia nuk është si njerëzit!

A nuk jeni të kënaqur për këtë?

Ne duhet të mësojmë se, pavarësisht nëse ndihemi se jemi të falur, apo jo, ne jemi të falur.

Fuqia e rrëfimit

Ndjenjat e fajit dhe të dënimit janë një problem i madh në kishë, por unë dëshiroj që ju të kuptoni se ato janë thjesht ndjenja.

Nëse vërtet e njihni Fjalën e Perëndisë, pavarësisht se si ndiheni, ju mund të flisni shkrimet për jetën tuaj dhe shumë shpejt, ndjenjat tuaja do ta humbasin autoritetin e tyre.

FoPër shembull, 1 Gjonit 1:9 thotë se, nëse ne pendohemi dhe i rrëfejmë mëkatet tona, Perëndia është besnik dhe do të na falë. Ju duhet të kapeni fort pas kësaj.

Herën tjetër që do t’i kërkoni Perëndisë t’ju falë dhe më pas ndiheni përsëri fajtorë, hapeni gojën dhe thoni: “Perëndia më ka falur!”. Citoni 1 Gjonit 1:9 ose përdorni një shkrim tjetër, por thuajeni me zë të lartë. Gjuha ka shumë pushtet!

Lutja dhe deklarimi i shkrimeve me zë të lartë, ju ndihmon jo vetëm të ripërtërini mendjen, por edhe të qëndroni të palëkundur dhe kjo padyshim që i tregon djallit se ku e ka vendin.

Djalli do të përpiqet të na bëjë të ndihemi fajtorë, edhe atëherë kur nuk kemi bërë ndonjë gabim. Kështu që ne duhet t’i rrëfejmë mëkatet tona, deri sa çdo gjë të dalë në sipërfaqe dhe të thuhet dhe më pas, duhet të veshim armaturën tonë frymërore, që kështu të mund të qëndrojmë të palëkundur.

Dashuria e mposht dënimin

Sa herë që flitet për dashurinë, ne thjesht dëshirojmë të na duan pa kushte dhe të na pranojnë ashtu siç jemi. Ne nuk duam të shtiremi, apo të luajmë teatër. Thjesht dëshirojmë të na duan dhe të na pranojnë. Dhe Perëndia e ofron këtë për secilin nga ne.

Asnjë nga ne nuk mund ta fitojë dashurinë e Perëndisë. Por për ta marrë këtë dashuri, së pari duhet të besojmë se Ai na do shumë.

Nëse nuk arrini ta besoni Perëndinë në këtë fushë, mos bini në paqe me këtë dhe thjesht të dëshironi të ndiheni më mirë. Studiojeni dashurinë e Perëndisë. Lexoni libra për të. Dëgjoni mësime mbi dashurinë. Filloni të flisni për këtë.

Thoni: “Nëse çdokush mund ta ketë dashurinë e Perëndisë, edhe unë do ta kem atë. Nëse çdokush mund të jetë i lirë, edhe unë mund të jem. Nëse çdokush mund të jetë i lumtur, edhe unë mund të jem. Nëse çdokush mund të ketë paqe, edhe unë mund të kem. Nëse çdokush mund të përdoret nga Perëndia, edhe unë mund të përdorem nga Perëndia. Nëse çdokush mund ta lërë pas të shkuarën e tij të thyer, edhe unë mund ta bëj.”

Mos u dorëzoni para ndjenjave tuaja- predikojuni atyre. Menaxhojini ato. Kujtoni se çdo ditë që jeni në Krishtin, ju jeni një krijesë e re.

Si të zgjedhësh një stinë rritjeje

Një fushë tjetër në të cilën të krishterët luftojnë, është besimi se Perëndia ka një plan të mrekullueshëm për jetën e tyre. Mos u besoni ndjenjave tuaja as në këtë fushë. Besojini Fjalës së Perëndisë.

Jeremia 29:11 thotë: Sepse unë i njoh mendimet që kam për ju”, thotë Zoti, “mendime paqeje dhe jo të së keqes, për t’ju dhënë një të ardhme dhe një shpresë.

Ne të gjithë mund të zgjedhim të ardhmen që Perëndia ka planifikuar për ne, nëse zgjedhim të rendim pas saj- nëse ne zgjedhim të rritemi dhe të zhvillojmë një marrëdhënie më të thellë me Perëndinë.

Po, është e dhimbshme të rritesh. Nuk është e lehtë t’i thuash ‘jo’ vetes tënde dhe ‘po’ Perëndisë. Por sa herë që e refuzoni mishin, ai bëhet gjithmonë e më i dobët dhe ju arrini fitoren.

Njerëzit që janë vërtet të krishterë të fortë dhe seriozë, po rendin pas mishit të Fjalës. Ata dëgjojnë mësimet mbi krenarinë, sepse dëshirojnë të jenë të përulur, të duruar dhe fitimtarë në Krishtin dhe e trajnojnë veten të mësojnë të dallojnë të drejtën dhe të gabuarën.

Unë jam këtu që t’ju them se, nëse e dini kush jeni në Krishtin dhe zgjidhni të rriteni, nuk do ta keni shumë problem të luftoni me fajin dhe dënimin. Në fakt, ju do ta doni Perëndinë dhe njerëzit që Ai përdor për t’ju korrigjuar, sepse ata po ju ndihmojnë të ndryshoni dhe të rriteni.

Nuk dua që ju të zgjoheni çdo ditë e thjesht ta jetoni jetën tuaj sipas ndjenjave. Unë dëshiroj që ju të dini se Perëndia ju do shumë dhe se nuk ka përse t’i lejoni ndjenjat të komandojnë drejtimin e jetës suaj.

Besoj se do të filloni të shihni ndryshime, nëse luteni dhe i kërkoni Perëndisë: “Bëj çdo gjë që dëshiron në jetën time. Jam i yti.”

Po ju sfidoj!

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon