Depresioni është shumë real. Ai mund të shkaktojë ndjesinë e izolimit, të vetmisë dhe të bën të ndihesh i pashpresë… sikur çdo gjë rreth teje po shkatërrohet.
Satani e përdor depresionin për të vjedhur fuqinë dhe lirinë frymërore të një personi. Ai kërkon që të mbushë mendjen tonë me errësirë dhe zymtësi, dhe të na ulë poshtë emocionalisht. Sidoqoftë, Perëndia dëshiron të na ndihmojë që të bëjmë një jetë të çliruar nga depresioni. Ai dëshiron të na mbushë me gëzimin e Tij, me shpresë dhe me pritshmërinë për gjëra të mira në jetën tonë.
Një pjesë e rëndësishme e betejës me depresionin, është fitorja mbi emocionet tona. Ne gjithmonë do të kemi ndjenja… ato kurrë nuk do të largohen. Sidoqoftë, ne mund të bëjmë që ndjenjat tona të ecin paralel me vendimet tona.
Kur depresioni na sulmon, ne ndihemi sikur duam të dorëzohemi. Por mënyra se si reagojmë ndaj depresionit bën një ndryshim të madh. E para e Pjetrit 2:3 na thotë që ta kundështojmë e t’i qëndrojmë djallit. Është shumë e rëndësishme ta kundërshtojmë menjëherë ndjenjën e depresionit, sepse sa më shumë ta lejojmë të qëndrojë, aq më e vështirë do të jetë ta kundërshtojmë më pas!
të gjithë do të përballemi me zhgënjime herë pas here. Ato janë pjesë të jetës. Sidoqoftë, nëse i lejojmë, zhgënjimet do të na çojnë në dekurajim… dhe dekurajimi do të na çojë në depresion.
E kam thënë këtë për vite me rradhë: Nëse nuk lejoni që djalli t’ju bëjë përshtypje me atë që bën, atëherë ai nuk mund t’ju vërë përfund; dhe nëse nuk mund t’ju vërë përfund, atëherë as nuk mund t’ju depresionojë. Një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëjmë, është ta kundërshtojmë djallin që në fillim!
Një përshkrim biblik për depresionin
E kuptoj se depresioni mund të jetë pasojë e një çekuilibrimi fizik ose kimik dhe nuk dua t’i hedh poshtë këto shkaqe. Sidoqoftë, për disa njerëz, depresioni është një çështje frymërore… dhe Bibla na jep udhëzime të mrekullueshme se si mund ta luftojmë atë.
Filipianëve 4:4 thotë: Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni!
Lëvdimi i Zotit kur jeni në situata të dhimbshme, është gjëja më e mrekullueshme që mund të bëni. Pse? Sepse kur zgjedhim ta përqëndrojmë vëmendjen tek Perëndia dhe të gëzojmë për gjërat e mira që Ai ka bërë, ne e bëjmë Perëndinë shumë të madh se problemet që kemi.
Më pëlqen shumë Psalmi 16:11. Aty thuhet: … ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi. Kur adhurojmë Perëndinë, ne ftojmë praninë e Tij në jetën tonë. Ai zëvendëson dekurajimin dhe trishtimin tonë, me gëzimin dhe paqen e Tij… duke na dhënë shpresë dhe një jetë të re, në atë situtatë që po kalojmë.
Mendja gjithashtu, është një faktor i rëndësishëm për të kapërcyer depresionin. A e dini se ajo që mendoni ka pushtetin të ndikojë në çdo fushë të jetës suaj? Ja përse është e rëndësishme të ripërtërini mendjen tuaj me premtimet që gjenden në Fjalën e Perëndisë.
Sa më shumë kohë të kaloni duke lexuar dhe duke menduar mbi Fjalën e Tij, aq më thellë hyn Ajo brenda jush dhe fillon t’ju ndryshojë nga brenda, jashtë. Hebrenjve 4:12 thotë se Fjala e Perëndisë “është e gjallë dhe vepruese” (NLT). Ajo ka aftësinë të ndryshojë mënyrën se si ju e shihni veten, madje edhe të ardhmen tuaj. Ndërsa e mbushni mendjen tuaj me atë që Perëndia thotë për ju dhe nëse shpallni premtimet e Tij, sikur të jenë personalisht për ju, atëherë ajo do t’ju sjellë shpresë dhe do të ndërtojë besimin tuaj.
Ne nuk mund t’i kontrollojmë të gjitha rrethanat tona dhe kurrë nuk do të jemi plotësisht të çliruar nga përjetimi i dhimbjes apo zhgënjimit, por nuk ka përse të lejojmë që ajo që po ndodh sot, të shkatërrojë të nesërmen.
Ne kemi një zgjedhje. Në fakt, mund t’i ndryshojmë plotësisht gjërat, duke marrë vendimin se do t’i hedhim pas krahëve situatat që na kanë shkaktuar dekurajimin dhe depresionin, dhe do të ecim përpara, drejt gjërave të mira që Perëndia ka planifikuar për të ardhmen tonë.
Nuk ka përse depresioni të sundojë mbi jetën tuaj. Pavarësisht asaj që po kaloni, Perëndia është i gatshëm t’ju ndihmojë, duke e marrë dhimbjen tuaj… dhe duke e kthyer atë në diçka të mrekullueshme.
Ky artikull është marrë nga mësimet audio të Joyce-it, me titull “Të kuptosh dhe të mposhtësh depresionin”.