Të jetosh në liri financiare

Joyce Meyer

Të jetosh në liri financiare

Perëndia nuk ka planifikuar që ne të luftojmë me financat gjithë jetën tonë. Ka stinë ku luftojmë, sidoqoftë, të cilat të gjithë i kalojmë. Qofshim të rinje e naivë, apo pak më të vjetër dhe ndoshta të padisiplinuar në financa, nuk është dicka e pazakontë ta gjejmë veten në një situatë të vështirë financiare.

Plani i Perëndisë është që ne të menaxhojmë burimet tona dhe jo të ndodhë e kundërta. Të bësh një jetë jashtë burgut të borxhit dhe të kesh liri financiare, është e mundur!

Dave dhe unë kemi kaluar stinë kur kemi pasur mungesa, e stinë kur kemi pasur shumë. Dëshiroj të ndaj me ju disa nga gjërat që ne kemi mësuar, si një mënyrë për të ofruar inkurajim për ju.

Ne jemi administratorë, jo pronarë.

Ky është parimi i parë dhe më i rëndësishëm që duhet të kuptojmë. Çdo gjë që ne kemi, është një dhuratë nga Perëndia. ne kemi tendencën të veprojmë sikur i kemi “fituar” gjërat, por kjo nuk është e vërtetë. Pa kohën, talentin dhe sigurimin e Perëndisë, ne nuk do të kishim asgjë!

Çdo gjë i përket Perëndisë. Ai thjesht na lejon të kemi privilegjin të kujdesemi për to. Dhe një nga mënyrat më të mira për ta bërë këtë, është të mos i çojmë dëm.

Tek Gjoni 6:12, pasi Jezusi ushqen njerëzit e shumtë, u tha dishepujve të Tij: “Mblidhni copat që tepruan, që të mos shkojë dëm asgjë.” Jezusi thjesht mund të bënte një mrekulli tjetër dhe të siguronte pastrimin pas vaktit të mrekullueshëm, por përkundrazi, Ai u mësoi njerëzve se sa e rëndësishme është të bëjmë më të mirën e mundshme, me atë që Perëndia na ka dhënë.

Jezusi na mëson gjithashtu, tek Mateu 25 se Perëndia do të na vërë në “provë”, për të parë se si mund të merremi me bekime më të mëdha.

 “Dhe i zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd”.’” (Mateu 25:21 NIV)

Perëndia nuk do të çlirojë bekime të reja në jetën tonë, deri sa ne të mësojmë më parë se si të menaxhojmë ato që Ai tashmë ka siguruar. Nëse po prisni për mrekullinë tuaj në financa, ndoshta Perëndia nuk ka mbaruar ende me përgatitjen tuaj.

Ndërsa mësoni se si të jeni administratorë më të mirë të atyre që keni, Perëndia pak nga pak, do t’ju japë më shumë. Kur filloni të përdorni burimet që keni për të bekuar të tjerët dhe për t’i sjellë lavdi dhe nder Perëndisë, Ai do t’ju bekojë me më shumë, që kështu, lavdia e Tij të shumëfishohet!

Çfarë doni më shumë se paratë?

Ka më shumë se 2,000 vargje në Bibël që flasin për paratë, përfshirë këtu edhe vargun e famshëm nga 1 Timoteut që thotë: “…lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave…” Vini re se thotë “lakmia për para”, jo thjesht paratë.

Paratë mund të jenë dicka që na largon nga Perëndia dhe që mund të shkatërrojnë marrëdhëniet. Por gjithashtu, mund të përdoren edhe për të bekuar shumë njerëz, për të lehtësuar vuajtjet e tyre dhe për të ndarë Ungjillin. Thjesht varet nga marrëdhënia që ne krijojmë me paratë.

Ka një arsye se përse Jezusi flet për vështirësitë që një i pasur ka, për të hyrë në Mbretëri (Mateu 19:24). Të gjithë mund të kemi iluzionin se jo Perëndia, por paratë janë zgjidhje për problemet tona. Mund ta harrojmë shumë shpejt parimin se Perëndia është burimi i begatisë sonë, që kemi thënë më parë.

Prandaj është e rëndësishme që të vëmë Perëndinë të parin. Nëse nuk e bëjmë këtë, nuk do të marrim shumë kënaqësi nga bekimet financiare dhe ka gjasa që ato bekime të mos vazhdojnë të vijnë më.

Ne gjithashtu, mund të vëndosim paratë para njerëzve të tjerë, nëse nuk jemi të kujdesshëm. Njerëzit që janë të pasur, ndonjëherë përballen me tundimin për të përdorur statusin e tyre, për t’u dukur më të rëndësishëm, dhe kjo gjë e trishton Perëndinë. Në vend që të bëjmë këtë, ne duhet t’i përdorim bekimet tona financiare, për t’u shërbyer të tjerëve. (I Timoteut 6:17-18)

Bibla na mëson se asgjë nuk është më e rëndësishme se marrëdhëniet tona, së pari me Perëndinë dhe pastaj, edhe me njerëzit e tjerë. Nëse mbajmë një marrëdhënie të ekuilibruar me paratë dhe nuk i lejojmë ato të bëhen pengesë për marrëdhëniet e tjera më të rëndësishme, atëherë  do të jemi në gjendje të jetojmë me gëzim, të ndihmojmë shumë njerëz dhe mbi të gjitha, Perëndia do të marrë gjithë lavdinë!

Parime për një administrim të urtë financiar

Bashkëshorti im, Dave, ka qenë një shembull shumë i mirë për mua në menaxhimin e parave. Ai më ka treguar se nuk ka përse të kesh patjetër një master në administrim biznesi, për të marrë vendime të urta financiare. Përkundrazi, duhet një karakter i mirë dhe zbatim i parimeve të shëndetshme e të perëndishme.

Nëse mund të mësoni se si të jetoni bazuar në këto katër parime të rëndësishme, do të shihni se si do të zgjerohen kufijtë tuaj financiarë:

1. Punoni për këtë.

Nuk ka gjasa që Perëndia të shkundë papritur një shumë të madhe parash në prehërin tuaj, ndërsa ju rrini në kolltuk e shihni televizor. E as nuk do të keni sukses financiar, nëse jetoni pa kujdes dhe i luteni Perëndisë të “pastrojë” gabimet që keni bërë me financat. Duhet shumë punë për të qenë i suksesshëm financiarisht!

Shumë njerëz kërkojnë sot atë që prindërve të tyre u është dashur vite të tëra për ta pasur. Ata nuk janë të duruar dhe të zellshëm aq, sa të bëjnë përpjekje për një kohë të gjatë, ashtu si prindërit e tyre. Ata përfundojnë duke bërë investime pa vlerë, duke u përpjekur të bëhen të pasur shpejt, ose hynë në borxhe për të pasur gjëra që nuk mund t’i përballojnë.

Perëndia na ka thirrur të jetojmë në mënyrë të shkëlqyer dhe me integritet. Kjo do të thotë se duhet të bëjmë një punë të mirë, për të fituar mirë, do të thotë se duhet të përpiqemi të bëjmë më të mirën e mundshme, për të jetuar brenda mundësive që kemi.

Puna është e mirë për ne. Ajo na jep ndjesinë e një qëllimi dhe realizimi, dhe është një formë e shërbimit ndaj të tjerëve. Nëse jemi të bindur dhe punojmë me integritet, Perëndia do ta bekojë punën tonë (Ligji I përtërirë 28:8)

2. Jepni me bujari

Mënyra më e mirë për të qenë të lumtur në jetë, është të beheni bekim për njerëzit e tjerë. Kjo është e vërtetë kur bëhet fjalë për shpenzimin e kohës dhe, sigurisht që është e vërtetë, kur bëhet fjalë për shpenzimin e parave.

Është dicka që unë e kam përjetuar vazhdimisht: sa më shumë të jepni, aq më shumë do të bekoheni. Kur Perëndia na kërkon të japim para në formën e të dhjetës, apo të një kontributi tjetër, Ai nuk përpiqet të marrë diçka prej nesh. Ai thjesht po na jep mundësinë të jemi pjesë e punës që Ai po bën, për të plotësuar nevojat e të tjerëve. Dhe kjo është një pjesë e qëllimit dhe thirrjes që Ai ka për jetën tonë.

Çfarëdo që të jepni tani do t’ju kthehet njëqidfish në këtë jetë (lexo Marku 10:29-30). Nëse doni të keni një jetë në bollëk, ju inkurajoj t’i kërkoni Perëndisë që t’ju ndihmojë të jetoni me bujari.

3. Kurseni

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të jemi të përgatitur për shpenzime të papritura si: gomat e makinës, riparime për shtëpinë, apo fatura mjekësore. Kur kemi para të lëna mënjanë për këto lloj urgjencash, do të kemi mundësi të shmangim hyrjen në borxhe.

Nëse jeni duke dhënë rregullisht, më lejoni t’ju inkurajoj që të hiqni mënjanë një shumë parash sa herë që merrni rrogën, si një lloj llogarie personale. Filloni me aq sa të keni mundësi dhe më pas, mund të kurseni më shumë.

nëse do të jeni të zellshëm në kursime, Fjala e Perëndisë thotë se Ai do të urdhërojë bekime mbi hambarët e tu (Ligji I përtërirë 28:8). Perëndia dëshiron që ju të besoni dhe të keni pritshmërinë se Ai do t’i përmbushë premtimet e Tij në jetën tuaj.

4. Shpenzoni

Dhe ja pjesa e bukur! Po, ju duhet të shpenzoni disa nga paratë tuaja. Blini diçka të bukur për veten tuaj herë pas here. Edhe pse kursimi është i rëndësishëm,  Perëndia nuk dëshiron që ne të jemi koprracë. Thjesht bëhuni të sigurt që, kur jeni duke shpenzuar, po ndiqni disa udhëzime të thjeshta:

  • Të dini se çfarë keni. Sigurohuni që të ruani një ekuilibër të të ardhurave dhe përgatisni një buxhet, që kështu të mund të dini se sa para kanë hyrë dhe sa po dalin nga ky buxhet.
  • Mos blini gjëra që nuk ju nevojiten. Mënyra më e shpejtë drejt burgut të borxhit është të bindni veten se “dëshirat” janë “nevoja”. Nëse nuk keni nevojë për diçka dhe buxheti juaj nuk e përballon dot, atëherë bëhuni aq të guximshëm, sa të mos e bleni. E di se kjo është e vësjtirë, por mund ta bëni!
  • Mos blini me paratë që nuk i keni. Kartat e kreditit nuk janë të këqija, por nëse nuk mund të kontrolloni atë që shpenzoni, atëherë përdorimi i tyre nuk është ide e mirë. Një rregull i përgjithshëm për përdorimin e kartës së kreditit, është që të shpenzoni vetëm aq, sa keni mundësi të paguani në fund të muajit. Interesat për borxhin e grumbulluar mund të dalin shumë shpejt jashtë kontrollit.
  • Paguani borxhet menjëherë. Jeta pa borxhe ju jep lirshmërinë për të jetuar në bollëk dhe për të qenë më bujarë. Nëse jeni duke u përballur me borxhe tani, bëni një plan për t’i shlyer ato. Filloni me borxhin më të vogël, duke shkuar gradualisht drejt më të madhit.
  • Ky është një shpenzim i urtë. Kjo do të thotë të ndash mënjanë para, që do të sjellin përfitime më vonë. Investime të mira në prona, apo në fonde të përbashkëta, bëjnë të mundur që paratë tuaja të punojnë për ju, në vend që të ndodhë e kundërta.

Gjetja e mundësive më të mira për të ardhmen tuaj financiare, mund të duket mbytëse, kur sheh gjithë zgjedhjet që ekzistojnë. Dhe ajo që funksionon për dikë tjetër, mund të mos funksionojë për ju. Ja përse unë ju rekomandoj që të flisni me një këshillues financiar.

Nuk ka përse paratë të jenë burim stresi në jetën tuaj. Nëse ju filloni të menaxhoni burimet tuaja në mënyra të perëndishme, ato mund të kthehen në bekime të jashtëzakonshme për ju, por edhe për të tjerët.

 

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon