Përgjigje për cdo ditë

Tre hapa drejt shërimit emocional afatgjatë

nga Joyce Meyer

Tre hapa drejt shërimit emocional afatgjatë

Sot, njerëzit kudo janë duke luftuar në jetë me emocione të dëmtuara. Ata kanë duruar shumë gjëra negative, që kanë shkaktuar një dëmtim të pathënë, me të cilin duhet të përballen. Por shumë shpesh, në përpjekje për t’i larguar, këto plagë janë thjesht të fshehura nën rrogoz.

Përmes përvojës sime personale dhe nga puna e shumë viteve në ndihmë të të tjerëve që kalojnë përmes këtij proçesi, unë kam zbuluar se, edhe pse Perëndia dëshiron t’i ndihmojë ata që vërtet duan shërimin emocional, ka disa hapa shumë të rëndësishëm që këta individë duhe t’i ndërmarrin vetë. Nëse dëshironi të merrni shërimin emocional, një nga hapat që duhet të ndërmerrni, është të përballeni me të vërtetën. Nuk mund të çliroheni, ndërsa jetoni në mohim. Nuk mund të shtireni sikur nuk ju kanë ndodhur disa gjëra negative.

Unë kam arritur të kuptoj se ne jemi ekspertë në ndërtimin e mureve dhe në fshehjen e gjërave në skuta të errëta, duke u shtirur sikur ato nuk kanë ndodhur kurrë.

kalova 18 vitet e parë të jetës sime në një mjedis abuziv, por sapo u largova nga ajo situatë, bëja sikur çdo gjë shkonte mirë. Nuk i tregova kurrë askujt për atë që kishte ndodhur në jetën time private.

Përse nuk duam që t’i themi gjërat hapur? Ne kemi frikë për atë që njerëzit do të mendojnë për ne. Kemi frikë se do të refuzohemi, keqkuptohemi dhe nuk do të duhemi nga njerëzit që ne duam, apo se ata mund të kenë një opinion të ndryshëm për ne, nëse do të mësojnë se çfarë na ka ndodhur.

Hapi tjetër drejt shërimit emocional, është rrëfimi i fajeve tona. Mendoj se vjen një pikë ku duhet të ndajmë me dikë tjetër atë që ka ndodhur në jetën tonë. Nëse ia tregojmë atë me fjalë një personi tjetër, do të ndodhë një mrekulli tek ne, por duhet të përdorim urtësinë. Duhet të zgjedhim dikë që e njohim dhe i besojmë. vetëm se duhet të bëhemi të sigurt që të mos i ngarkojmë një barrë mbi shpatulla personit tjetër, duke e ndarë historinë tonë me të. Gjithashtu, nuk duhet të shkojmë në një ekspeditë gërmimi, duke u përpjekur të nxjerrim në sipërfaqe plagë të vjetra dhe ofendime që janë varrosur e janë harruar.

Kur unë më në fund, mora guximin të ndaja me dikë, atë që më kishte ndodhur në fëmijëri, fillova të dridhesha fort nga frika. ishte një reagim emocional ndaj gjërave që i kisha mbajtur të groposura brenda meje, për një kohë shumë të gjatë. Tani, kur flas për të kaluarën time, më duket sikur po flas ëpr problemet e dikujt tjetër, sepse unë vetë jam shëruar dhe restauruar. E shkuara ime nuk më shqetëson më.

Së fundi, ju duhet të merrni disa përgjegjësi personale. Disa njerëz zihen në kurthin e mohimit, të frikësuar për atë që mund të ndodhë, nëse të tjerët marrin vesh të vërtetën. Por për sa kohë që do ta mohojnë të shkuarën, kurrë nuk do të mund të çlirohen prej saj

Askush nuk mund të çlirohet nga një problem, deri sa të pranojë se vërtet e ka atë problem. Një i alkoolizuar, një person i varur nga droga, apo kushdo që ka humbur kontrollin e jetës së tij, është pre e vuajtjes, deri sa të jetë në gjendje të thotë: “Unë kam një problem dhe kam nevojë për ndihmë.”

Edhe pse problemet tona mund të jenë shkaktuar nga diçka e bërë kundër vullnetit tonë, ne nuk mund të justifikohemi që kemi lejuar që problemi të vazhdojë, të rritet dhe madje edhe të marrë në kontroll gjithë jetën tonë. Përvojat tona të kaluara mund të na kenë bërë kështu si jemi, por nuk ka përse të qëndrojmë kështu. Ne mund të marrim iniciativën duke ndërmarrë hapa pozitivë për të ndryshuar gjërat dhe mund t’i kërkojmë ndihmë Perëndisë. Cilido qoftë problemi juaj, përballuni me të, mendoni t’ia rrëfeni atë një miku të besuar dhe më pas, pranojeni para vetes suaj.

Përballuni me të vërtetën—ky mund të jetë fillimi i një jete më të lumtur!

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon