Inkurajim në kohë të vështira

Joyce Meyer

Inkurajim në kohë të vështira

Plani i Perëndisë për t’u larguar nga acarimet e përditshme

Nuk ka përse të jemi të mjerë, të acaruar dhe të palumtur, në periudha të vështira. Nëse ju dhe unë kemi jetuar në botë për një kohë të gjatë, kemi mësuar se ka edhe ditë që nuk shkojnë saktësisht ashtu si ne do të dëshironim. Duket sikur gjithmonë ndodhin gjëra të ndryshme, që mund të ndikojnë në planet tona. Deri sa të mësojmë se gëzimi ynë nuk mund të bazohet tek rrethanat tona, ne nuk do të kemi gjë tjetër, veçse një përvojë të lëkundur, që shkon poshtë e lart, poshtë e lart. Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të qenë të lumtur, edhe atëherë kur rrethanat tona nuk janë siç i duam, apo kur nuk marrim një mrekulli aq shpejt sa do të donim, apo edhe kur njerëzit që na rrethojnë, nuk janë siç ne do të na pëlqenin dhe vazhdimisht na acarojnë apo na zhgënjejnë.

Perëndia nuk do të na vërë kurrë në një situatë, pa na dhënë më parë aftësinë për të qëndruar aty me gëzim. Unë besoj se Perëndia e vë Hirin e Tij në dispozicionin tonë çdo ditë. Nëse Perëndia ju kërkon të qëndroni në një situatë, atëherë Ai do t’ju japë hir të veçantë, për një stinë të veçantë, që të përjetoni paqen dhe gëzimin e Tij, pavarësisht rrethanave. Është ai lloj hiri që i bën njerëzit e tjerë të na shohin dhe të mendojnë: “Jam i habitur që ti je në gjendje ta bësh këtë dhe prapëseprapë, të kesh kaq shumë gëzim dhe paqe!”. Dhe kështu duhet të jetë, në vend që ne vetë t’u themi atyre se nuk mendojmë se do t’ia dalim mbanë.

Le të flasë vetë qëndrimi juaj

Si të krishterë, unë besoj se qëndrimi me të cilin jetojmë dhe niveli i gëzimit, paqes dhe qëndrueshmërisë që shihet në jetën tonë, do t’u flasë njerëzve rreth nesh shumë më shumë, se sa po t’u predikonim me fjalë. Ka të bëjë shumë mënyra se si ne e ejtojmë jetën para tyre, sidomos kur gjërat nuk po shkojnë në mënyrë të përsosur për ne në atë periudhë.

Për ata njerëz që tani po thonë: “Unë po qëndroj në këtë situatë, sepse besoj se këtë dëshiron Perëndia, por në të vërtetë jam shumë i mjerë, i acaruar dhe i palumtur!”, unë kam një lajm të mirë. Lajmi i mirë është se Perëndia ka siguruar një mënyrë, që ne të përballemi me acarimin- Hirin e Tij. Unë e di se shumë herë dëgjojmë se hiri është pasuria e Perëndisë, që na jepet vetëm përmes Krishtit, dhe ky është një përkufizim i mirë. Por të them të drejtën, është pak si shumë frymërore për mua. Unë kam nevojë për diçka që është në një format më praktik për mua. Më pëlqen ta përkufizoj hirin kështu: “Fuqia e Perëndisë, që na ndihmon të bëjmë çfarëdo që duhet të bëjmë.”

Merrni fuqi përmes hirit të Perëndisë

Hiri është fuqi. Është fuqi, fuqi, fuqi! Është fuqia e Perëndisë që ne e marrim prej hirit të Perëndisë përmes besimit. Çdo gjë vjen tek ne përmes besimit, të cilin gjithashtu, na e jep Perëndia.

Romakëve 12:3 thotë: “ sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit (NASB)”. Ne duhet të pyesim veten: “Çfarë po bëj me besimin tim?”. A po e vendosim besimin tek vetja jonë? A po përpiqemi t’i rregullojmë gjërat vetë? A po përpiqemi që ta ndryshojmë vetë veten dhe familjen tonë? A po përpiqemi të tërheqim vëmendjen e shefit për të bërë më shumë para, apo për t’u ngritur në detyrë? Nëse po ndodh kështu, atëherë nuk është hir. Janë veprat tona.

Por kur ne e çlirojmë besimin tonë dhe i besojmë Perëndisë që Ai ta bëjë atë që ne nuk mund ta bëjmë, atëherë po e vendosim besimin tonë tek Perëndia. Më pas, hiri, që është fuqia e Perëndisë, vjen përmes kanalit të besimit dhe na bën të aftë të bëjmë gjëra që do të na habisin ne vetë dhe të tjerët gjithashtu.

Ja përkufizimi im më i gjatë për hirin: Është fuqia e Perëndisë që vjen tek ne falas, që do të thotë se nuk kushton asgjë tjetër, veçse ta vendosim besimin tonë tek Perëndia. Ai do të na aftësojë të bëjmë me lehtësi atë që nuk do të mund ta bënim kurrë vetë, sado të përpiqeshim e të luftonim.

Mbështetuni tek Perëndia

Unë besoj se sa herë që ndihemi të acaruar, do të thotë se nuk po mbështetemi më tek Perëndia për të marrë hirin e Tij, por po përpiqemi të realizojmë diçka sipas mënyrës sonë. Kur e kuptova këtë, vërtet më ndihmoi të shihja se po kaloja shumë kohë duke qenë e acaruar. Për të ndihmuar veten time, unë sajova disa shenja dhe i vura nëpër shtëpi. Aty shkrova gjëra të tilla si: “Punët e mishit janë barazim me acarimin.” Sa herë që acarohesha, këto shenja më ndihmonin të kujtohesha se po bëja vetë rolin e Frymës Së shenjtë. Kur përpiqemi t’i bëjmë gjërat vetë, në thelb po themi: “Mirë, Perëndi, e vlerësoj faktin që Ti je me mua, por shikoje se si do ta bëj vetë.”

Shumë nga ne kanë probleme me frymën e pavarur. Ne e kemi të vështirë të mbështetemi tek Perëndia për çdo gjë. Hiri nuk është vetëm fuqia për shpëtim; është edhe fitorja që na nevojitet çdo ditë të jetës sonë.

Tek Galatasve 2, Bibla thotë se, nëse ne marrim shpëtimin me anë të hirit, nuk duhet të mendojmë se mund të arrjijmë përsosmërinë duke u mbështetur tek mishi. Është njësoj sikur të mendojmë se Perëndia na shpëton dhe na ndihmon vetëm pasi na kanë shterur forcat tona dhe jemi gati të dorëzohemi. Duket sikur vetëm atëherë Ai na e hedh topin dhe na thotë: “Mirë, tani shko dhe bëj gol!”

Vazhdoni të ecni

Ne duhet ta jetojmë jetën tonë të përditshme, në të njëjtën mënyrë që pranojmë Krishtin, pra duke u mbështetur plotësisht tëk Ai. Hiri është si drita. Por ajo që kemi tendencën të bëjmë shumë herë, është të luftojmë me errësirën, kur mjafton vetëm të ndezim dritën. Çfarë kuptimi ka të mblidhemi në errësirë duke u përplasur me njëri-tjetrin, duke luftuar me errësirën, kur e vetmja gjë që duhet të bëjmë, është të shtypim çelësin e dritës? Drita e gëlltit errësirën, që në çastin që ndizet.

Shumë shpesh ne luftojmë me veten dhe dobësitë tona, duke u përpjekur të ndryshojmë. Kështu e kalojmë kohën të zemëruar me gjërat në jetën tonë. Por ajo që duhet të bëjmë në të vërtetë, është që thjesht t’i japim pak më shumë dritë situatës.

Galatasve 5:16 na nxit të të ecim dhe të jetojmë sipas Frymës, sepse kështu nuk do t’i përmbushim dëshirat e mishit. Vini re se nuk thotë: “Mposhteni mishin, që kështu të ecni sipas Frymës!”.

Ajo që duhet të bëjmë, është të ecim në Frymë. Kur ne përqëndrohemi tek ecja në Frymë, nuk do t’i përmbushim dëshirat e mishit, sepse do të jemi të përqëndruar tek Perëndia, tek mirësia e Tij, tek marrëdhënia jonë me Të dhe tek dashuria që Ai ka për ne.  Gjërat e tjera do të fashiten, për shkak të fuqisë së Perëndisë në jetën tonë. Hiri është fuqi: thjesht dhe qartë. Është fuqia e Perëndisë që vihet në dispozicionin tonë në sasinë që na nevojitet.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon