Nuk është dhe aq e komplikuar

Joyce Meyer

Nuk është dhe aq e komplikuar

Duket si një pikë shumë thelbësore, por unë besoj se ka shumë që ende pyesin, nëse Perëndia vërtet u flet njerëzve. Dhe nëse po, ata mendojnë me vete:

  • A është Perëndia vërtet i përfshirë në jetën time?
  • A dëshiron Ai vërtet që të jetë i përfshirë edhe në detajet më të imëta?
  • A na ndihmon Perëndia vetëm në çështje të mëdha, dhe jo të vogla?

A ia keni bërë vetes ndonjëherë këto pyetje? A pyesni veten ndonjëherë, nëse Perëndia u flet njerëzve? Do të jeni të lumtur të mësoni se Ai e bën. Por së pari, më lejoni t’ju shpjegoj se si shpërqëndrimet, mund ta pengojnë zërin e Tij.

Shpërqëndrime që zbehin zërin e Perëndisë

Bota na e bën shumë të lehtë që të mbushim veshët me gjëra të cilat e zbehin zërin e Perëndisë dhe e largojnë atë shumë, duke e vënë në prapaskenë të jetës sonë. Këto shpërqëndrime vijnë në forma të ndryshme, që nga televizioni deri tek radioja… që nga ushqimi dhe deri tek gjërat që i kemi hobi. Madje edhe aktivitetet familjare, apo në kishë, ndonjëherë mund të na shpërqëndrojnë dhe të na largojnë nga Perëndia.

Sidoqoftë, vjen dita kur I vetmi që mbetet është Perëndia. Çdo gjë në jetën tonë kalon e largohet më në fund; dhe kur kjo ndodh, Perëndia do të jetë ende aty.

Fjala e Perëndisë na mëson se ajo që dihet rreth Perëndisë, është e dukshme për të gjithë, sepse Ai na e ka bërë veten të njohur në ndërgjegjen e brendshme të qenies njerëzore (lexo Romakëve 1:19-21). Çdo njeri, një ditë do të qëndrojë para Perëndisë dhe do të japë llogari për jetën e tij, apo të saj (lexo Romakëve 14:10-12).

Kur njerëzit nuk dëshirojnë t’i shërbejnë Perëndisë me jetën e tyre dhe dëshirojnë të ecin sipas dëshirave të tyre, ata gjejnë mënyra për t’u fshehur nga Perëndia. Kështu ata shpërfillin këtë njohuri instiktive të brendshme për Krijuesin e tyre, I cili dëshiron t’u flasë dhe t’i udhëzojë se cilën rrugë duhet të ndjekin.

Kënaqësi e garantuar

“Përmes Krishtit dhe fuqisë së Frymës  së Tij Të shenjtë, Perëndia dëshiron t’ju flasë personalisht, rregullisht, çdo ditë.”

Asgjë nuk mund ta kënaqë dëshirën tonë të zjarrtë për Perëndinë, përveç miqësisë me Të. Isaia e shprehu shumë mirë urinë tonë për Perëndinë, kur shkroi: “Me shpirtin tim të dëshiroj [O Zot] natën, po, me frymën që është brenda meje të kërkoj në mëngjes herët” (Isaia 26:9).

Të dëgjosh nga Perëndia është diçka jetësore, në mënyrë që të shijojmë planin e Tij të përjetshëm për jetën tonë. Dëgjimi nga Perëndia është vendim i yni; askush tjetër nuk mund ta marrë këtë vendim për ne. Perëndia nuk do të na detyrojë të zgjedhim vullnetin e Tij, por Ai do të bëjë çdo gjë, që të na inkutajojë t’u themi ‘po’ rrugëve të Tij.

Kjo do të thotë se Perëndia dëshiron të jetë i përfshirë edhe në detajet më të imëta të jetës sonë. Fjala e Tij na thotë që ta pranojmë Atë në të gjitha rrugët tona dhe Ai do të drejtojë shtigjet tona (lexo Fjalët E urta 3:6). Të pranosh Perëndinë do të thotë të merakosesh për atë që Ai mendon dhe të kërkosh opinionin e Tij.

Askush nuk më tha mua

Edhe pse unë e doja me sinqeritet Jezusin, shkova në kishë për vite me rradhë, pa e ditur se Perëndia u flet njerëzve. Unë u vija rëndësi të gjitha festave dhe rregullave fetarë… shkoja në kishë çdo të dielë. Vërtet po bëja gjithçka që dija të bëja në atë kohë. Por kjo nuk mjaftonte, për të kënaqur dëshirën time  të zjarrtë për Perëndinë.

Mund të kisha kaluar çdo moment në kishë ose në studim biblik, por përsëri nuk do të mund ta kënaqja etjen që kisha për një miqësi më të thellë me Zotin. Kisha nevojë të flisja me Perëndinë rreth të kaluarës sime dhe ta dëgjoja Atë të më fliste rreth të ardhmes sime. Por askush nuk më mësoi se Perëndia dëshiron të më flasë drejtpërdrejt. Askush nuk më ofroi ndonjë zgjidhje për ndjenjat e pakënaqura që po duroja.

Përmes leximit të Fjalës, mësova se Perëndia dëshiron vërtet të flasë me ne dhe Ai vërtet ka një plan për jetën tonë, gjë që do të na çojë drejt një vendi paqeje dhe kënaqësie.

Kurrë mos hezitoni të merrni, ato që mendoni se janë gjëra të vogla për Perëndinë; në fund të fundit, çdo gjë është e vogël për Perëndinë.

Kini pritshmërinë se Perëndia do t’ju flasë

Tek Gjoni 16:12-13, Jezusi po u fliste burrave me të cilët kishte kaluar tre vite rresht. Ata kishin qenë me Të me Të natë e ditë, dhe përsëri, Ai u tha se kishte shumë për t’u mësuar. ne mund të men dojmë se, nëse Jezusi do të kishte qenë personalisht me ne për tre vite, natë e ditë, ne do të kishim mësuar gjithçka që ekziston.

Por Jezusi tha të presim më shumë, sepse Ai gjithmonë ka diçka të re për të na thënë, në lidhje me situatat me të cilat përballemi.

Kini pritshmërinë se do ta dëgjoni Perëndinë

Përmes Krishtit dhe fuqisë së Frymës së Tij Të shenjtë, Perëndia dëshiron t’ju flasë personalisht, çdo ditë. Ai dëshiron t’ju çojë drejt gjërave të mira që ka rezervuar për ju.

Dëgjimi nga Perëndia përgjatë ditës, është bërë një mënyrë jetese e natyrshme për mua, që nga koha kur mora plotësinë e Frymës Së shenjtë, Të cilin Jezusi premtoi se do të na e dërgonte. Ati do t’u japë Frymën e Tij të gjithë atyre që e kërkojnë (lexo Luka 11:13). Frymë E shenjtë do të na ndihmojë të kuptojmë Biblën, që kështu, ne të mund të dimë se si të zbatojmë diturinë dhe urtësinë e Tij në jetën tonë (lexo Gjoni 14:26). të gjithë ne mund të dëgjojmë nga Perëndia dhe të drejtohemi përditë nga Fryma E shenjtë.

Dëgjoni me vëmendje çdo gjë

Kohët e fundit, Perëndia më tha se kur ne nuk jemi të gatshëm të dëgjojmë në një zonë, ka mundësi që të mos jemi në gjendje të dëgjojmë edhe në zona të tjera. Ndonjëherë ne zgjedhim ta bëjmë një vesh të shurdhër ndaj asaj që e dimë se Zoti po na e thotë shumë qartë. Ne dëgjojmë vetëm atë që duam të dëgjojmë; ky quhet “dëgjim selektiv (përzgjedhës)”.

Pas disa kohësh, njerëzit mendojnë se nuk mund të dëgjojnë më nga Perëndia. ka shumë gjëra që Perëndia tashmë u ka thënë… ata thjesht nuk kanë reaguar ende ndaj tyre. Unë kam mësuar se, sa më shpejt ta bëj atë që Perëndia më thotë të bëj, aq më shpejt Ai do të ma zbulojë hapin tjetër që duhet të hedh.

Ndërsa kaloni kohë me Perëndinë, thjesht dëgjoni. Mos flisni vetëm për ato që dëshironi, apo ju nevojiten. Ai do të flasë për shumë çështje, nëse ju qëndroni në heshtje para Tij dhe thjesht, dëgjoni.

Ky artikull është marrë nga libri i Joyce-it “Si të dëgjosh nga Perëndia”.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon