Nuk e them këtë se jam në nevojë, sepse unë jam mësuar të kënaqem (kënaqur deri në atë pikë sa nuk jam i shqetësuar) në gjendjen që jam. Unë di edhe të jem i përulur dhe di edhe të jetoj në bollëk; në çdo gjë dhe për çdo gjë jam mësuar të nginjem dhe të kem uri, të kem me tepri dhe të jem ngushtë. (FILIPIANËVE 4:11-12)
Ne jemi gjithmonë të gatshëm të ndjekim Frymën e Shenjtë në bekime, por mund të jemi “të vështirë në dëgjim” nëse udhëheqja e Tij do të thotë se nuk do të arrijmë atë që duam.
Pas kthimit në besim dhe pagëzimit të tij në Frymën e Shenjtë, Pali dëgjoi nga Fryma për disa nga vështirësitë që do t’i kërkohej të duronte (shih Veprat e Apostujve 9:15–16). Pali kaloi shumë situata të vështira, por gjithashtu ai do të bekohej gjatë jetës së tij. Ai shkroi një pjesë të madhe të Dhiatës së Re, nën frymëzimin hyjnor. Ai pa vegime, pati vizita engjëllore dhe shumë gjëra të tjera të mrekullueshme. Ai gjithashtu duhej të ndiqte drejtimin e Frymës së Shenjtë kur gjërat nuk ishin aq shumë bekim. Ai dëgjoi dhe iu bind zërit të Zotit, pavarësisht nëse ishte i përshtatshëm apo i papërshtatshëm, i rehatshëm apo i pakëndshëm, në dobi të tij apo jo.
Në vargun e sotëm, Pali shkroi për të qenit i kënaqur edhe kur ishte plot bekime, edhe kur përballej me vështirësi. Në vargun pasues, ai deklaron që mund të bëjë gjithçka me anë të Krishtit, që e forcon. Ai ishte i forcuar për kohë të mira, për t’i shijuar ato dhe për të patur qëndrimin e duhur. Gjithashtu ishte i fortë në kohë të vështira, duke qëndruar dhe mbajtur sjelljen e duhur në mes të tyre.
Fryma e Shenjtë na drejton gjatë kohëve të mira dhe kohëve të vështira. Ne mund të mbahemi tek Ai pavarësisht se çfarë po ndodh në jetën tonë.
FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Perëndia është i njëjtë pavarësisht rrethanave tona dhe Ai është gjithmonë i denjë për lavdërim dhe mirënjohje.