Në Frymë Dhe Në Të Vërtetë

Në Frymë Dhe Në Të Vërtetë

Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën. (GJONI 4:24)

Ne flasim me Perëndinë përmes frymës sonë. Jezusi, të vargu ynë për sot, tha se duhet ta adhurojmë Perëndinë në frymë dhe në të vërtetë. Të jesh tërësisht dhe plotësisht i sinqertë me Perëndinë është një nga mënyrat se si mund të krijojmë afërsi me Të. Gjithsesi, Ai di gjithçka rreth nesh, ndaj nuk ka asnjë arsye që të mos jemi plotësisht të sinqertë me Të. Tregoji se si ndihesh, se çfarë ke bërë gabim, dhe se çfarë dëshiron. Fol me Perëndinë ndershmërisht ashtu siç do të veproje me një mik të mirë dhe të besuar.

Ka raste kur e di që Perëndia dëshiron unë të bëj diçka dhe i them me sinqeritet që nuk dua, por do ta bëj duke u treguar e bindur ndaj Tij dhe sepse e dua. Shtirja dhe marrëdhënia e ngushtë me Perëndinë nuk shkojnë së bashku. Një mike e imja më tha njëherë se edhe pse e dinte se duhet të dhuronte financiarisht për Mbretërinë e Perëndisë, nuk donte të vepronte kështu. Ajo u tregua e sinqertë me Perëndinë dhe i tha, “Do ta bëj, por në të vërtetë nuk dua, ndaj po të kërkoj të më japësh dëshirën për të dhuruar.” Si përfundim, kjo grua dhuroi bujarish dhe e bëri këtë me gëzim.

Vetëm e vërteta na bën të lirë (shiko Gjoni 8:32). Fjala e Perëndisë është e vërteta. Ai thotë atë që dëshiron të komunikojë dhe dëshiron të komunikojë atë që thotë. Kur gabojmë, duhet të jemi tërësisht të sinqertë me Perëndinë për gabimin. Vendosi mëkatit emrin e vetë. Nëse ke qenë lakmitar, quaje lakmi. Nëse ke qenë xheloz, quaje xhelozi. Nëse ke gënjyer, quaje gënjeshtër. Kërkoji falje Perëndisë dhe pranoje faljen me besim.

Kur e adhurojmë Perëndinë, duhet ta bëjmë këtë në frymë dhe në të vërtetë, sinqeritet, dhe ndershmëri. Nëse mendojmë se një mik nuk po tregohet i sinqertë, ne shpesh themi, “Ji i sinqertë,” që do të thotë të ndalojë së pretenduari dhe të jetë i ndershëm. Mendoj se edhe Perëndia dëshiron të njëjtën gjë prej nesh.


FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Ji i sinqertë!

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon