Të gjithë kalojmë kohë krizash dhe vështirësish në jetën tonë. Shumë herë, ato shkaktohen nga humbje të mëdha dhe pikëllimi vjen si pasojë e tyre.
Pas humbjes së një njeriu të dashur, një divorci, një krize financiare që e kthen jetën tuaj përmbys, apo largimit nga një kishë ku keni shkuar për një kohë të gjatë, cilado qoftë situata, do t’ju duhet të kaloni përmes një proçesi pikëllimi, në mënyrë që të merreni me të. Dhe është e rëndësishme të kuptoni se ka ndryshim midis një proçesi të shëndetshëm pikëllimi dhe frymës së pikëllimit në jetën tuaj.
Pikëllimi përkufizohet si një “dhembje e thellë që ndiejmë në zemër për humbjen e papritur të ndonjë njeriu shumë të dashur etj., hidhërim i madh, pikëllim i thellë. Edhe pse është i dhimbshëm, kalimi përmes proçesit të pikëllimit është në fakt i shëndetshëm mendërisht, frymërisht dhe madje, edhe fizikisht. Nëse nuk kaloni përmes tij, ju do të keni një frymë pikëllimi në jetën tuaj, e cila do t’ju pengojë ngushëllimin dhe shërimin nga Perëndia dhekështu, nuk do të jeni në gjendje të ecni përpara në planin që Ai ka për ju.
Çelësi është ky: të kaloni përmes proçesit të pikëllimit, me hirin, ngushëllimin dhe forcën e Perëndisë. Për t’ju ndihmuar me këtë, unë dëshiroj të ndaj me ju fazat e pikëllimit që janë të shëndetshme dhe që duhet të përjetohen normalisht.
Tronditja dhe mohimi janë fazat e para që një person përjeton zakonisht, pasi ndodh një tragjedi. Ato “mbajnë të heshtur” shpërthimin fillestar dhe e bëjnë personin të ndihet si i mpirë përballë situatës, pra veprojnë si një lloj anestezie. Në fakt, Perëndia i përdor ato për të na mbrojtur nga dëmtimi, sepse nëse ndjejmë të gjitha emocionet njëherësh, nuk do të mund t’i përballonim dot.
Trishtimi zë vend pasi fillon të largohet tronditja. Ndonjëherë dhimbja është kaq e madhe, sa që shkakton simptoma fizike si: lodhja, pagjumësia, humbja e oreksit, madje edhe dhimbja e kraharorit. Dallgët e trishtimit mund të na mbulojnë dhe, atëherë kur mendojmë se ndihemi më mirë, një dallgë tjetër vjen e na përplaset. Leximi i Psalmeve është shumë ngushëllues në kohë të tilla.
Zemërimi është zakonisht faza tjetër e pikëllimit. Gjëja e parë që një person dëshiron të bëjë, është të fajësojë. Disa zemërohen me Perëndinë dhe e fajësojnë Atë për tragjedinë; të tjerë fajësojnë veten, sepse ndihen sikur nuk bëjë gjithçka që duhej të bënin për ta parandaluar atë. Dhe ndonjëherë, njerëzit fajësojnë dikë tjetër.
Nëse po luftoni me zemërimin ndaj Perëndisë, duhet të kuptoni se armiku dëshiron që ne të zemërohemi me Perëndinë dhe të besojmë se Ai nuk na do e nuk merakoset për ne, sidomos kur nuk e kuptojmë se përse ka ndodhur diçka dhe nuk i zbulojmë dot arsyet. Por e vërteta është se Perëndia është i mirë! Kur ne të arrijmë në pikën ku t’i besojmë plotësisht Atij, mund të jemi mirë, edhe nëse nuk i kuptojmë të gjitha.
Depresioni shpesh pason zemërimin dhe bën që personi të ndihet sikur shpresa për të ardhmen e tij, ka humbur. Aktivitetet e jetës duken pa kuptim, duke bërë kështu që personi të tërhiqet nga lidhjet me familjarët dhe me miqtë. Ky është një reagim normal ndaj humbjes, por nëse zgjat për shumë kohë, do të ishte mirë që të flisnit me një këshillues, apo me dikë që ka përjetuar të njëjtën gjë që po kaloni edhe ju.
Pranimi dhe shpresa janë faza e fundit e një proçesi të shëndetshëm pikëllimi. Sapo keni kaluar kohën që ju nevojitet përmes fazave të tronditjes, trishtimit, zemërimit dhe depresionit prej humbjes, mund të gjeni hirin dhe forcën në Krishtin, për t’u ngritur e për të ecur përpara. Por duhet të merrni vendimin se do ta bëni me ndihmën e Perëndisë, sepse kjo është e vetmja mënyrë për ta ndarë mendjen e për të qenë të qëndrueshëm, drejt fitores në kapërcimin e pikëllimit.
Gjëja më entuziazmuese në lidhje me këtë fazë të fundit është se, tani është koha për një fillim të ri. Dhe nuk është kurrë vonë për fillime të reja në jetën tuaj, kur ju ecni me Krishtin. Perëndia është në anën tuaj dhe Ai do t’ju ndihmojë t’i hidhni hapat një e nga një, duke ecur me besimin në Të dhe duke lëvizur përpara në planet e mira që Ai ka për ju.
Dëshiroj të them edhe një herë se çelësi për një proçes të shëndetshëm pikëllimi është kalimi përmes. Është e rëndësishme që ju të përballeni me realitetin e humbjes në jetën tuaj dhe më pas, ta lejoni veten të kalojë përmes një kohe pikëllimi, dhimbjeje dhe lotësh. Nëse do ta bëni këtë, kur të vijë koha që Perëndia t’i flasë zemrës suaj e t’i thotë: “Është koha të ngrihesh e të vazhdosh përpara”, atëherë do të jeni në gjendje ta bëni këtë në besim.
Mos harroni se…
- Perëndia është burimi i çdo ngushëllimi- Ai është ngushëlluesi dhe inkurajuesi juaj (2 Korintasve 1:3).
- Ju mund ta vendosni plotësisht besimin në Të dhe nuk ka përse të zbuloni çdo gjë, apo të mbështeteni në gjykimin tuaj, për të qenë mirë (Fjalët E urta 3:5-7).
- Perëndia ju do pa asnjë kusht, Ai është gjithmonë në anën tuaj dhe asgjë nuk mund t’ju ndajë nga dashuria e Tij (Romakëve 5:7-8; 8:31-35).
- Ju mund të bëni çdo gjë që duhet të bëni në jetë, përmes Krishtit (Filipianëve 4:13).
- Ju jeni më shumë se fitimtarë përmes Krishtit që ju do (Romakëve 8:37).
Fjalët E urta 3:5 thotë: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd.” Merrni një vendim të palëkundur se do ta vendosni besimin tuaj tek Perëndia dhe do të besoni se Ai ka çdo gjë nën kontroll. Me ndihmën e Tij, ju mund të ecni përpara, pak nga pak, duke mposhtur pikëllimin dhe humbjen.