Dhuntia e Besimit

Dhuntia e Besimit

një tjetri, besim [mrekulli-bërës] në po atë Frymë [e Shenjtë]; ( 1 KORINTASVE 12:9)

Unë besoj se ka individë të caktuar të cilëve Perëndia u jep dhuratën e besimit për raste specifike, si për shembull një udhëtim i rrezikshëm misionar ose një situatë sfiduese. Kur kjo dhuratë vepron te njerëzit, ata janë në gjendje të besojnë me lehtësi te Perëndia për diçka që të tjerët do ta shihnin si të pamundur. Ata kanë besim të plotë për diçka nga e cila të tjerët do të trembeshin ose madje do të tmerroheshin.

Një person që vepron me një dhuratë besimi duhet të jetë i kujdesshëm që të mos mendojë se të tjerët që nuk e kanë këtë dhuratë janë jobesimtarë, sepse kur dhuntia e besimit vepron në një individ, Perëndia po i jep atij personi një pjesë të pazakontë besimi për të siguruar që qëllimi është realizuar. Ai mund të përdoret nga Zoti për t’u sjellë guxim dhe ngushëllim të tjerëve, por ai duhet të mbetet i përulur dhe mirënjohës për atë që Zoti i ka dhënë. Romakëve 12:3 thotë: “Me hirin (favorin e pamerituar të Perëndisë) që më është dhënë, unë paralajmëroj secilin prej jush që të mos e vlerësojë dhe të mos e mendojë veten më shumë seç duhet . . . por të vlerësojë aftësinë e tij me gjykim të matur, secili sipas shkallës së besimit që Perëndia i ka ndarë.”

Zoti do të na japë gjithmonë besimin që na nevojitet për të përballuar çdo gjë që duhet të përballemi. Sidoqoftë, dhurata e besimit e bën një person jashtëzakonisht të guximshëm. Kushdo që vepron në të duhet të jetë i ndjeshëm për të kuptuar se ky guxim është një dhuratë nga Zoti dhe ta falënderojë Atë gjithmonë.


FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Ji mirënjohës për besimin që Perëndia të ka dhënë për të bërë gjëra të vështira.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon