Mos e Shuaj Frymën

Mos e Shuaj Frymën

Mos shuani Frymën. (1 THESALONIKASVE 5:19)

Vargu për sot na thotë të mos e shuajmë Frymën e Shenjtë. Besoj se një nga mënyrat se si e shuajmë Frymën është ankimi. Kemi nevojë që Fryma e Shenjtë të punojë në jetët tona dhe sa më shumë që zgjedhim të mos ankohemi dhe të jemi falënderues (e kundërta e ankimit), aq më shumë liri ka Fryma e Shenjtë për të vepruar në situatat tona. Ankimi vjen natyrshëm, por është e mbinatyrshme të falënderosh kur testohesh dhe sprovohesh në mes të rrethanave të vështira të jetës.

Njerëzit që murmurijnë dhe ankohen nuk e dëgjojnë Perëndinë sepse për ta dëgjuar, duhet të ndalojnë së ankuari! Mu deshën vite ta zbuloja këtë të vërtetë! Shfryja, ankohesha, murmurisja dhe më dukeshin fajtorë të gjithë dhe gjithçka, e pastaj bëhesha xheloze sepse të gjithë rreth meje po dëgjonin prej Perëndisë ndërsa unë jo!

“Përse nuk po më ndodh asgjë e mirë?” shfryja.

Deivi vazhdonte të më thoshte, “Joyce, në jetë nuk kanë për të na ndodhur gjëra të mira derisa të mos mërzitemi më çdo herë që gjërat nuk shkojnë ashtu siç duam.”

Pastaj inatosesha me Deivin për këtë që me thoshte dhe i kthehesha: “Ti nuk e di ose nuk të intereson se si ndihem!”

Problemi qëndronte në faktin se unë shqetësohesha shumë për mënyrën se si ndihesha dhe nuk interesohesha mjaftueshëm për premtimin e Perëndisë për të më ndihmuar. Perëndia ofrohet të na ndihmojë në problemet tona dhe na tregon se si të veprojmë, nëse durojmë (mbajmë një qëndrim të mirë) gjatë sfidave tona. Ankimi nuk tregon durim, por mirënjohja dhe falënderimi po. Kur mësova të jetoja sipas Fjalës së Perëndisë dhe jo sipas ndjenjave të mia, e dëgjova më qartë zërin e Perëndisë. Ankimi hap një derë për armikun, por falënderimi dhe mirënjohja hap një derë për Perëndinë.


FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Mos e shuaj Frymën e Shenjtë duke u ankuar.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon