Prit në Zotin

Prit në Zotin

Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e tij të këqija. (PSALMI 37:7)

Unë kam nevojë të dëgjoj nga Perëndia çdo ditë, dhe dëshiroj të dëgjoj prej Tij në lidhje me gjithçka. Për të dëgjuar Perëndinë, ne duhet të jemi të gatshëm të presim në urtësi, duke dëshiruar me pasion vullnetin e Perëndisë më shumë se çdo gjë tjetër. Ne do të dëgjojmë nga Perëndia akoma më qartë nëse jemi të vendosur të mos veprojmë në bazë të dëshirave tona të mishit apo emocioneve tona. Ne do të jemi të bekuar nëse presim derisa të sigurohemi që kemi drejtimin nga Perëndia përpara se të hedhim hapat. Atëherë ne duhet të bëjmë çfarë Perëndia po na drejton të bëjmë, edhe nëse është e vështirë për ne.

Disa vite më parë fillova të koleksionoj filmat klasikë sepse nuk kishte asgjë të denjë për të parë në televizor. Një ditë na erdhi në shtëpi një revistë ku ishin listuar shumë filma të mirë dhe të pastër. Dukej se Zoti kishte vënë në prehrin tim një mundësi për të marrë më shumë filma. U emocionova dhe vendosa të porosis rreth pesëmbëdhjetë filma. Por më pas e lashë porosinë mënjanë për disa ditë dhe kur e pashë përsëri, emocionet dhe ngazëllimi më ishin qetësuar dhe përfundova duke porositur vetëm dy filma. Ky është një shembull i thjeshtë, por parimi zbatohet në shumë fusha të jetës.

Kur veprojmë vetëm me emocione entuziaste shpesh bëjmë gabime. Unë them, “Lërini emocionet të qetësohen dhe pastaj vendosni.” Është e mahnitshme se çfarë ndryshimi bën një gjumë i mirë në mënyrën se si ndihemi për gjërat.

Unë ju inkurajoj të mësoni të prisni. Emocionet ngrihen dhe ulen; dhe energjia emocionale vjen dhe shkon, duke na drejtuar shumë rrallë tek destinacioni që Perëndia ka për ne. Perëndia do të na çojë gjithmonë në një vend të mirë nëse ne thjesht e lejojmë Fjalën e Tij dhe Urtësinë e Tij, dhe jo emocionet tona, që të na drejtojnë.

FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Lëri emocionet e tua mënjanë, pastaj vendos.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon