Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë. Jakobit 1:4
Jakobi na mëson që ne mund të gëzohemi kur ne e gjejmë veten të përfshirë në situata të vështira, duke e ditur se Perëndia po e bën besimin tonë të sjellë durimin. Unë kam parë që sfidat më kanë bërë më të duruar, por së pari ato nxorën shumë mbeturina në sipërfaqe, të tilla si krenaria, zemërimi, rebelimi, keqardhja për veten, të ankuarit dhe shumë gjëra të tjera. Duket se këto tipare të paperëndishme, me ndihmën e Perëndisë, duhet të përballen dhe trajtohen sepse ato pengojnë durimin dhe po ashtu edhe frutat e mira si mirësia, dashuria, përulësia dhe gjërat e tjera.
Bibla na flet për pastrimin, shenjtërimin dhe sakrificën. Këto nuk janë fjalë popullore; megjithatë, këto janë gjëra përmes të cilave ne kalojmë në mënyrë që të bëhemi më të ngjashëm me Jezusin në karakterin tonë. Dëshira e Perëndisë është të na bëjë të përsosur, duke mos na munguar asgjë. Ai dëshiron që ne të jemi të mbushur me frutat e drejtësisë, gjë që zakonisht na kërkon të kalojmë përmes vështirësive, të cilat megjithëse janë të pakëndshme, në fakt na ndihmojnë të maturohemi.
Unë kam luftuar me vështirësitë në jetën time për një kohë të gjatë derisa në fund mësova që Perëndia do t’i kthejë ato për mirë dhe do t’i përdorë për të më ndihmuar në shumë mënyra. Ai thjesht dëshiron që ti dhe unë të dorëzohemi dhe të themi: “ Unë të besoj Ty, Zot. Unë besoj se kur kjo vështirësi të mbarojë, unë do të jem një person më i mirë seç isha përpara se kjo të fillonte!”
Pavarësisht se çfarë je duke kaluar, besoji Perëndisë se po afrohesh më shumë me Të çdo ditë.