Një Zemër E Re

Një Zemër E Re

Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një frymë të re; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t’ju jap zemër prej mishi. Do të vë brenda jush Frymën tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni dekretet e mia. (EZEKIELI 36:26‑27)

Vargjet për sot përmbajnë një premtim të cilin Perëndia e foli mijëra vjet më parë, një premtim që do të vijë dita kur Ai do t’i japë njerëzve zemra të reja dhe do të vendosë Frymën e Tij brenda tyre. Kur Perëndia foli këto fjalë njerëzit po jetonin nën Besëlidhjen e Vjetër, në kohën para lindjes, vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit. Nën Besëlidhjen e Vjetër, Fryma e Shenjtë ishte me njerëzit dhe vinte mbi ta për qëllime të caktuara, por Ai nuk jetonte në zemrat e tyre.

Ti dhe unë jemi duke jetuar nën Besëlidhjen e Re, në atë kohë që Perëndia foli përmes profetit Ezekiel kur Ai premtoi se do të dërgonte Frymën e Tij për të jetuar brenda nesh. Askush nuk mund të lindej sërish dhe të bëhej një banesë për Frymën e Perëndisë, pa u kryer vdekja dhe ringjallja e Jezusit. Tani që Ai ka ardhur, ne mund ta pranojmë Atë si Zot dhe Shpëtimtar dhe mund të marrim Frymën e Shenjtë në zemrat tona. Kur Ai banon në ne, Ai mund të na flasë, duke bërë të mundur që të dëgjojmë zërin e Tij, dhe të na japë fuqinë për t’iu bindur asaj që Ai na thotë.

Unë ju inkurajoj të meditoni mbi bekimin mahnitës të të qënit i zgjedhur si banesë për Perëndinë. Kjo do të thotë se ti dhe Perëndia jeni lidhur ngushtë dhe mund të kënaqeni me miqësinë e mrekullueshme me Të.

FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Ti je shumë pranë Perëndisë.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon