Kur të shkoni djathtas ose kur të shkoni majtas, veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që do të thotë: «Kjo është rruga, ecni në të!». (ISAIA 30:21)
Një arsye që Zoti na flet është të na ndihmojë të dimë ndryshimin midis së drejtës dhe së gabuarës, në mënyrë që të bëjmë zgjedhje të mira. Disa gjëra mund të jenë të gabuara për një person dhe të drejta për një tjetër, ose anasjelltas, kështu që të gjithë kemi nevojë për drejtim individual nga Zoti. Sigurisht, udhëzime të caktuara të përgjithshme të së drejtës dhe të gabuarës zbatohen për të gjithë; për shembull, të gjithë e dimë se gënjeshtra, mashtrimi dhe vjedhja janë të gabuara, ashtu si shumë gjëra të tjera. Por, ka edhe gjëra specifike për ne si individë. Djali im ishte në një udhëtim dhe kishte planifikuar ta zgjaste atë një ditë, por ai u zgjua në mëngjes dhe nuk kishte qetësi për të qëndruar, kështu që u kthye në shtëpi. Zoti ka plane të ndryshme dhe unike për të gjithë, dhe Ai di disa gjëra për ne që as vetë nuk i dimë.
Ne mund të mos e kuptojmë pse Perëndia na thotë të mos bëjmë diçka kur të gjithë ata që kemi rrotull po e bëjnë, por nëse zemrat tona janë të buta, ne i besojmë dhe i bindemi Atij edhe kur nuk e kuptojmë pse. Përfundimi është, ne nuk duhet të dimë pse-në prapa gjithçkaje që Ai kërkon prej nesh – ne thjesht duhet të mësojmë të dëgjojmë zërin e Tij dhe t’i bindemi.
Ushtarëve në trajnimet për betejë ndonjëherë u kërkohet të bëjnë ushtrime qesharake, gjëra që nuk kanë kuptim. Ata mësojnë t’i bëjnë ato gjëra menjëherë dhe t’i binden urdhrave shpejt pa pyetur, madje edhe nëse nuk i kuptojnë. Nëse ata janë në vijën e parë të betejës, dhe drejtuesit e tyre japin një urdhër, ata mund të vriten nëse ndalojnë dhe pyesin, “Pse?” Në të njëjtën mënyrë, Perëndia dëshiron që ne t’i besojmë udhëheqjes së Tij të dashur në jetën tonë dhe t’i bindemi Atij pa vonesë dhe pa pyetur.
FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Bindju zërit të Perëndisë edhe kur nuk po kupton.