Ai Dëshiron Të Përfshihet Në Çdo Gjë

Ai Dëshiron Të Përfshihet Në Çdo Gjë

Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë, janë bij të Perëndisë. (ROMAKËVE 8:14)

Të jesh i udhëhequr nga Fryma e Shenjtë do të thotë ta lejosh Atë të përfshihet në çdo vendim që ti merr, si për ato të mëdha edhe për të voglat. Ai na udhëheq me anë të paqes dhe me anë të urtësisë, po ashtu dhe me anë të Fjalës së Perëndisë. Ai flet me një zë të vogël, të butë, në zemrat tona, ose atë që ne shpesh e quajmë “dëshmia e brendshme.” Ata që dëshirojnë të udhëhiqen nga Fryma e Shenjtë duhet të mësojnë të ndjekin dëshminë e brendshme dhe të përgjigjen shpejt.

Për shembull, nëse jemi të përfshirë në një bisedë, dhe fillojmë të ndjejmë një parehati të brendshme, mund të jetë Fryma e Shenjtë që po na sinjalizon se duhet të kthejmë bisedën në një drejtim tjetër ose të heshtim. Nëse nuk ndihemi rehat së brendshmi kur jemi duke blerë diçka, ne duhet të presim dhe të dallojmë pse nuk ndihemi rehat. Ndoshta nuk kemi nevojë për atë artikull, ose ndoshta mund ta gjejmë më lirë diku tjetër, ose mund të jetë koha e gabuar për ta blerë. Ne nuk kemi pse të dimë gjithmonë pse-në; ne thjesht duhet të bindemi.

Më kujtohet një herë kur ndodhesha në një dyqan këpucësh. Më duhej të zgjidhja disa palë këpucë dhe t’i provoja kur papritur nuk po ndihesha rehat. Kjo parehati u rrit derisa unë dëgjova Frymën e Shenjtë të më thoshte: “Dil jashtë nga ky dyqan.” Unë i thashë Deivit se duhet të largoheshim, dhe dolëm. Kurrë nuk e kuptova pse, dhe nuk kam nevojë ta di. Ndoshta Perëndia më ruajti nga një lëndim që po vinte, ose ndoshta njerëzit në atë dyqan ishin të përfshirë në diçka jo etike. Ndoshta ishte thjesht një test bindjeje. Ashtu siç e thashë, ne nuk kemi pse ta dimë gjithmonë pse Perëndia na drejton në rrugë të caktuara. Pjesa jonë është thjesht t’i bindemi zërit të Tij.


FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Mënyra më e lartë për të nderuar Perëndinë është thjesht t’i bindesh Atij menjëherë.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon