
Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh të miat dhe njihem nga të miat. (GJONI 10:14)
Të dëgjojmë Perëndinë teksa na flet është e drejta dhe privilegji ynë si besimtarë. Perëndia na jep aftësi dalluese që ta dallojmë zërin e Tij mes zërave mashtrues. Ai e paralelizon këtë aftësi dalluese me instinktin natyror të deleve që e njohin zërin e bariut, ashtu siç lexojmë në vargun për sot.
Nëse i përkasim vërtet Perëndisë, do të mund ta dallojmë zërin e Tij nga zërat që na largojnë nga shtegu. Duhet të mësojmë të ekzaminojmë natyrën e gjërave, dhe të njohim karakterin e Perëndisë.
Unë pikëllohem kur i dëgjoj njerëzit të thonë, “Perëndia më tha të bëj këtë,” por është e dukshme që një bari i mirë nuk do t’u thoshte kurrë të bënin atë që janë duke bërë. Dikur njihja një grua që një udhëheqës shpirtëror i kishte thënë se Perëndia kishte paracaktuar të martoheshin bashkë. Problemi qëndronte se ai tashmë ishte i martuar. Më e trishta qe se ajo i besoi atij dhe e inkurajoi të divorcohej me gruan, që të mund të ishin bashkë. Kjo ishte e pa perëndishme, e marrë, dhe nuk mund të ishte kurrsesi vullneti i Perëndisë sepse bie në kundërshtim me Fjalën e Tij.
Shpesh herë njerëzit duan të dinë, “Si të sigurohem se po dëgjoj prej Perëndisë?” Ne do ta dallojmë ndryshimin mes zërit të Tij dhe zërave mashtrues nëse vërtet e njohim karakterin, natyrën, dhe historinë se si Ai na ka drejtuar më parë. Jezusi për delet e Tij tha, “Ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe jetën time e jap për delet” (Gjoni 10:15).
FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Mos i lejo kurrë emocionet të të kontrollojnë, sidomos nëse ajo që po të drejtojnë të bësh është kundër Fjalës apo karakterit të Perëndisë.