Besim dhe Favor

Besim dhe Favor

Hapat e njeriut janë nga Zoti; si mund ta njohë, pra, njeriu rrugën e vet? (FJALËT E URTA 20:24)

Kur Dejvi dhe unë ndjemë se Perëndia po na thërriste për të filluar një shërbese televizive, filluam të bënim hapa në atë drejtim me anë të besimit. Nuk mund ta bënim pa para, kështu që gjëja e parë që bëmë ishte t’u shkruanim njerëzve në listën tonë të postimeve, duke u kërkuar miqve dhe partnerëve të shërbesës të jepnin financiarisht për të na ndihmuar të fillonim një shërbesë televizive. Ne ndjemë se Perëndia na kishte folur në zemrat tona për një shumë të caktuar parash që do të na duheshin për ta filluar, dhe kjo shumë është pikërisht ajo që morëm.

Më pas ne morëm një hap tjetër. Ne kishim nevojë për një producent dhe Zoti na e siguroi. Një burrë kishte aplikuar për një punë si producent televiziv tre muaj përpara se Perëndia të na fliste për të qenë në televizion. Meqenëse nuk ishim në televizion, i thamë se nuk do të kishim nevojë për shërbimet e tij. Kur erdhi koha, ne u kujtuam për atë njeri dhe kuptuam se Perëndia e kishte plotësuar nevojën tonë përpara se ne ta dinim se kishim një të tillë.

Hapi tjetër që bëmë ishte të blinim kohën në disa stacione televizive një herë në javë. Meqenëse programet paguanin veten dhe pamë fryte të mira prej tyre, blemë më shumë kohë. Më në fund shfaqnim në televizion në mënyrë të përditshme dhe tani kemi një program të përditshëm që transmetohet në mbarë botën dhe, me lutje, po ndihmon miliona njerëz.

Perëndia na udhëhoqi Dejvin dhe mua hap pas hapi dhe kështu do t’ju udhëheqë edhe ju. Sa herë që bënim një hap besimi, Perëndia na dha favor dhe ju inkurajoj të prisni gjithashtu favorin e Tij. Zoti tashmë i di nevojat tuaja dhe Ai ka përgjigjen tuaj, kështu që kur frika të trokasë në derën tuaj, përgjigjuni me besim dhe do të bëni gjëra të mëdha.


FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Ji i sigurtë që Perëndia po të drejton ty dhe po të jep favor.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon