Besim, Jo Ndjenja

Besim, Jo Ndjenja

Sepse ecim me anë të besimit [ne e rregullojmë jetën tonë dhe sjelljen tonë sipas bindjes ose besimit tonë në lidhje me marrëdhënien e njeriut me Perëndinë dhe me gjërat hyjnore, me besim e pasion të shenjtë; kështu ecim ne] dhe jo me të parë. (2 KORINTASVE 5:7)

Bibla na mëson të jetojmë me anë të besimit dhe jo me anë të shikimit dhe ndjenjave. Megjithatë, ka kohë kur Perëndia përdor rrethanat tona për të na folur neve. Për shembull, kur Deiv dhe unë po kuptonim se Perëndia po na fliste për të shkuar në televizion, të dy ne nuk dinim se si prodhohej një program dhe nuk mund ta bënim këtë pa pasur para. Ne nuk kishim asnjë mundësi që të siguronim para me mënyrat tona, ndaj duhej që Perëndia të siguronte. Ne i shkruam miqve dhe partnerëve tanë dhe nuk morëm asnjë kacidhe, ndaj nuk mund të bënim asnjë hap tjetër. Pavarësisht se sa besim kishim për të shkuar në televizion, ne duhet të kishim paratë gjithashtu. Ne besonim që Perëndia i kishte folur zemrave tona, por ne kishim nevojë që Ai të na fliste përmes situatës tonë. Ne duhet të dimë ndryshimin midis besimit, budallallëkut dhe supozimit. Do të ishte marrëzi për ne nëse do të hynim në borxhe për të dalë në televizion.

Supozojmë se një grua lutet dhe ndjen se duhet të shkojë të punojë për të ndihmuar familjen me shpenzimet. Ajo vendos të gjejë një punë, por ajo ka dy fëmijë të vegjël. Nëse ajo nuk mund të gjejë një dado të besueshme, ajo nuk mund të shkojë në punë. Kjo është një rrethanë për të cilën Perëndia duhet të kujdeset në mënyrë që ajo të ecë përpara. Nëse Zoti nuk e siguron kujdestaren e fëmijëve, atëherë asaj do t’i duhet të vërë në dyshim mendimet e saj për të shkuar në punë. Ndoshta Zoti po i tregon asaj se të qëndrosh në shtëpi me familjen në këtë moment të jetës është më mirë sesa të punosh.

Ne ecim me besim, por gjithashtu duhet t’i kërkojmë Perëndisë të na japë mençuri për të ditur kur t’i shpërfillim plotësisht rrethanat dhe kur t’u kushtojmë vëmendje rrethanave, sepse Ai po i përdor ato për të na folur dhe për të na udhëhequr.


FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Jeto me anë të besimit, por mos u trego i pamend.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon