…Ai në ju është më i madh se ai në botë. – 1 Gjon 4:4
Cilado qoftë situata, me të cilën përballemi në jetë apo që do të vijë në të ardhmen, Perëndia na ka dhënë tashmë besim për tejkalimin e saj. Ndoshta nuk duket kështu dhe ju nuk ndiheni sikur keni besim për tejkalimin e vështirësive, por besimi në Perëndinë nuk bazohet te rrethanat apo ndjenjat tona.
Armiku do që ne të besojmë se nuk kemi mundësi në jetë, se jemi shumë të dobët, të shkretë etj. Por Perëndia na sheh ndryshe, përmes syve të dashurisë. Ai sheh se cilët jemi ne në Krishtin, çfarë ne mund të jemi dhe çfarë Ai ka investuar në ne, jo çfarë ne dhe të tjerët shikojmë. Të shohësh veten në mënyrën që Perëndia të sheh, të drejton në një jetë me fitore ngazëllyese.
Nevojitet besim. Nuk mjafton vetëm të dëgjuarit se Perëndia të do dhe të sheh si fëmijën e Tij, duhet ta besosh këtë. Duhet besim për të lëvizur përpara dhe për të kapërcyer sfidat e jetës. Megjithatë besimi nuk shërben, nëse nuk di si ta vendosësh në veprim. Duhet ta çlirosh besimin, në mënyrë që ai të funksionojë.
Ne e vendosim besimin ne veprim përmes fjalëve, veprave dhe, sigurisht, përmes lutjeve. Hapin duhet ta hedhim ne.
Letra e Parë e Gjonit 4:4 është një shkrim që të krishterët e citojnë shumë. Sa herë që përmend këtë varg në një kishë apo konferencë, të gjithë duartrokasin apo bërtasin. Por sa njerëz e besojnë me të vërtetë që Ai që është në ne është më i madh se ai në botë?
E vërteta është që Ai që është në ju është më i madhi dhe Ai ju do. Shtrijeni besimin tuaj sot dhe shikojeni veten si ju shikon Perëndia. Nuk ka rëndësi se çfarë do armiku që ju të shihni apo si duken rrethanat. Besimi ynë fiton përmes Atij që jeton në ne!
Lutje
Perëndi, unë besoj që Ti më do dhe më ke dhënë forcë për të fituar. Si fëmija yt, unë do të veproj në besimin që Ti më ke dhënë çdo ditë, duke besuar në Ty dhe duke mposhtur çdo pengesë që më del përpara.