Sepse ti, o Zot, do të bekosh të drejtin; do ta rrethosh me hirin tënd si me mburojë. Psalmi 5:12
Kur sapo nisa të shërbeja, isha e frikësuar. Unë kisha frikë se mos më refuzonin. Në ato ditë, që një grua të bënte atë që bëja unë, ishte edhe më pak e popullarizuar sesa sot, kur gratë predikuese pranohen me gjerësisht. Kështu që u përpoqa shumë të flisja dhe të sillesha ashtu siç mendova se pritej nga unë.
Problemi ishte se unë po përpiqesha të kisha favorin e njerëzve përmes punës time dhe kjo nuk funksionoi. Të përpiqesh me forcat e tua të kesh favor nuk është vetëm një punë e vështirë, shpesh është e kotë. Sa më fort që përpiqesh, aq më pak tërhiqen njerëzit nga ty.
Në atë kohë unë nuk dija asgjë për favorin e mbinatyrshëm. Unë nuk e dija që ai favor ishte pjesë e hirit. Në fakt, në Dhjatën e Re të gjuhës angleze fjalët hir dhe favor janë të përkthyera të dyja nga e njëjta fjalë greke charis. Pra hiri i Perëndisë është favori i Perëndisë. Dhe hiri i Perëndisë shkakton që në jetën tonë të ndodhin ato gjëra që duhet të ndodhin. Hiri është fuqia e Perëndisë që vjen përmes besimit tonë për të bërë çfarë ne nuk mund të bëjmë dot vetë. Nuk është me forcën njerëzore, apo me fuqinë njerëzore, por me anë të Frymës së Shenjtë ne marrim favor. Me anë të Frymës së hirit të Perëndisë ne gjejmë favor me Perëndinë dhe me njeriun.
Çdo ditë shpallni me zë të lartë që ju besoni se keni favor me Perëndinë dhe që Ai ju jep favor me njeriun! (Fjalët e urta 3:4)