
O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mençur. ROMAKËVE 12:1
Nëse je besimtar, jeta jote i është shenjtëruar Perëndisë, është ndarë mënjanë për t’u përdorur prej Tij. Ti nuk i përket më vetes tënde, je pjesë e diçkaje më të madhe tashmë. Është e mrekullueshme të mendosh që jetët tona nuk na përkasin ne, ne jemi blerë me një çmim (1 Korintasve 6:20). Ne i përkasim Perëndisë dhe jetët tona kanë një qëllim të shkëlqyer në Të.
Sa më pranë Perëndisë të afrohemi, ne zbulojmë që i përkasim Atij, dhe që jemi bashkëpunëtorë me Të në jetë d he ne duhet ta bëjmë veten tonë të disponueshme çdo ditë që Ai të na përdorë.
Unë kalova shumë vite duke iu lutur Perëndisë të më jepte atë që dëshiroja. “Zot, sikur të më jepje këtë apo atë, atëherë do të isha e lumtur.” Por Perëndia më tregoi se gëzimi vjen kur ia dorëzoj planet e mia Atij. Në vend që t’i kërkoja Atij të bënte atë që doja, fillova të mësoja të pyesja se çfarë donte Ai për jetën time.
Zoti thjesht kërkon që ne të jemi të disponueshëm dhe të përdorshëm. Të gjithë ne mund ta bëjmë këtë! Ne mund t’ia dorëzojmë jetën tonë Perëndisë, duke i besuar Atij që të zbatojë planin e Tij të mirë për të ardhmen tonë.
Mund të mos marrim gjithçka që duam. Por nëse do t’i besojmë Perëndisë, do të kuptojmë se ajo që Ai dëshiron për jetën tonë është më e madhe se çdo gjë që mund të imagjinojmë.