
Sepse morëm vesh për besimin tuaj në Krishtin Jezus [mbështetja e të gjithë personalitetit tuaj njerëzor tek Ai në besim dhe siguri absolute në fuqinë, urtësinë dhe mirësinë e Tij] dhe për dashurinë tuaj [që keni dhe tregoni] ndaj gjithë shenjtorëve… (KOLOSIANËVE 1:4)
Perëndia dëshiron që ne të mbështetemi plotësisht tek Ai dhe të dëgjojmë dhe t’i bindemi zërit të Tij mbi të gjithë të tjerët; kjo është ajo që në të vërtetë është besimi. Më pëlqen përkufizimi i besimit i dhënë në vargun për sot dhe fakti që ne mbështetemi në Zotin mbi gjithçka.
Ne mund të mbështetemi tek Perëndia që të na mbajë në vullnetin e Tij. Unë jam e gëzuar për këtë sepse të përpiqesh të qëndrosh në vullnetin e Perëndisë është shumë e vështirë. Unë nuk njoh asnjë person i cili mund të thotë ndershmërisht se ai apo ajo e di 100 përqind me siguri se çfarë të bëjë çdo ditë.
Ne mund të bëjmë gjithçka që dimë për të marrë vendimet e duhura. Si mund ta dimë se jemi në rregull? Nuk mundemi. Ne duhet t’i besojmë Zotit që të na mbajë në vullnetin e Tij, të drejtojë çdo shteg të shtrembër para nesh, të na mbajë në shtegun e ngushtë që të çon në jetë dhe të na largojë nga rruga e gjerë që të çon në shkatërrim (shikoni Mateu 7:13)
Ne duhet të lutemi, “Zot, vullneti yt u bëftë në jetën time”. Di disa gjëra për vullnetin e Zotit për jetën time, por unë nuk di gjithçka, kështu që kam mësuar të qëndroj në qetësi dhe paqe duke u mbështetur te Zoti dhe duke u përkushtuar ndaj Tij dhe duke u lutur që vullneti i Tij të bëhet brenda meje dhe përmes meje.
Ndonjëherë ne mendojmë se vetëm njerëzit e dobët ose të brishtë mbështeten, por unë kam mësuar se mbështetja është një gjë e mirë nëse mbështetemi në Perëndinë.
FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Mbështetu tek Perëndia plotësisht sot.